Në Tiranë, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të kthyer në shkallën e parë për rigjykim çështjen e përfaqësimit të Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se do t’i drejtohej Gjykatës së Lartë për rekurs.
Ai përsëriti pretendimet se vendimi i djeshëm, i hartuar në zyrat e qeverisë Rama, ishte një tjetër goditje kundër opozitës dhe pluralizmit.
Ndërkohë, studiues të jetës sociale dhe politike pohuan se ndarjet në Partinë Demokratike tregojnë krizën e saj politike, e cila nuk mund të zgjidhet me procese gjyqësore.
Analistët shprehën befasinë se përse grupimet brenda Partisë Demokratike nuk kërkojnë mekanizma të reja për bashkëpunim mes tyre, por ende e presin zgjidhjen e krizës nëpër gjykata nga gjyqtarë të rastësishëm, që dalin prej shortit.
Studiuesi Afrim Krasniqi thotë se ligji parashikon trajtimin e konflikteve mes dy partive, por jo edhe ato brenda një partie, të cilat ajo duhet t’i zgjidhi vet me komunikim dhe dialog.
“Kriza aktuale është krizë politike, nuk është krizë logosh, siglash dhe numrash. Si e tillë, zgjidhja duhet të vinte me mjete politike dhe jo me mjete administrative. Mendoj se palët gabuan që iu drejtuan gjykatës. Duke i konsideruar partitë si bashkime vullnetare të individëve, që mendojnë njëlloj, kur ata nuk mendojnë njëlloj, atëherë ose krijohen parti të reja politike ose gjenden zgjidhje përmes formave të reja politike”, thotë zoti Krasniqi.
Vëzhguesit pohojnë se mosmarrëveshjet brenda PD-së po e dobësojnë përherë e më shumë atë. Studiuesi Blendi Ceka thotë se këtë maj është hera e dytë që PD shkon e përçarë në zgjedhje, duke shpresuar në artifica koalicionesh të larmishme.
“Kjo është një ndarje e kristalizuar tashmë. Palët kanë patur gjithë kohën e mjaftueshme për të gjetur rrugë ndërveprimi. Pikëpyetja është se si do të funksionojë opozita në të ardhmen. Aktualisht janë dy pjesë në PD, por sa më shumë të dobësohet, aq më shumë rrezikon të ndahet në akoma më shumë pjesë, si opozitë, në pamundësi për t’u shprehur”, thotë zoti Ceka.
Analistët vërejnë që palët brenda PD-së sfidojnë njëri tjetrin si fitimtarë apo si humbës, dhe nuk po e trajtojnë çështjen mes tyre siç kanë premtuar prej dy vjetësh si një rithemelim ose si një riformatim.
Zoti Krasniqi thotë se në këtë proces rindërtimi të PD-së faktor kryesor mbetet përcaktimi non grata e SHBA-ve ndaj zotit Berisha apo e mbiquajtura lista e zezë amerikane dhe personat që prek ajo.
“Të dy palët kanë pranuar se kjo parti ka nevojë të rithemelohet sipas njërës anë, apo të riformatohet sipas anës tjetër. Pas zgjedhjeve vendore, është jetike për këtë parti, që të riformatohet nga fillimi në program, në identitet në struktura, në sistemin e meritokracisë së brendshme, në njerëzit që kanë mandate dhe legjitimitet përfaqësues. Duhet parë kush ka vota, pse është i djathtë, kush janë sfidat e të djathës dhe kush janë aleatët e saj, apo kush është perspektiva e të djtahtës në Shqipëri. Por mbi këto tema nuk ka ende diskutime nga asnjëra prej grupimeve në PD”, thotë zoti Krasniqi.
Pyetja pa përgjigje, theksojnë vëzhguesit mbetet nëse partia demokratike është e gatshme të bëhet parti e sa më shumë njerëzve dhe jo vetëm e kryetarit.
Ata pohojnë se pengesë kryesore në zgjidhjen e krizës mbetet personalizimi i skajshëm në përfaqësimin e Partisë Demokratike, kur pritet shuarja e grindjeve të gjata personale dhe qasje sa më gjithëpërfshirëse e tyre me sa më shumë shtresa qytetarësh të zhgënjyer nga qeverisja socialiste.
“Në rast të humbjes së zgjedhjeve në vitin 2025, zoti Berisha i ka vënë vetes një kufi deadline vetes së tij për t’u tërhequr sërish nga politika. Fati i tij përcakton drejtpërdrejt edhe dinamikat e brendshme në Partinë Demokratike. Për aq kohë sa ai vazhdon të jetë aktiv dhe të drejtojë pjesën më të madhe të demokratëve, atëherë ai vazhdon të mbetet pika kryesore e gravitetit”, thotë zoti Ceka.
Studiuesit pohojnë se qeverisja socialiste është dobësuar në këtë mandat të tretë, ndonëse kontrollon pjesën dërrmuese të pushteteve, por atë e favorizon edhe gjendja opozitës së përçarë, e cila ende nuk e bind opinionin publik, nëse është e gatshme me një program alternativ për t’u kthyer në qeverisje, pasi të ketë ndryshuar nga hapja dhe të ketë lanë lënë pas sjellje të papërshtatshme dhe mendësi të mëparshme.