Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të premten pas një takimi me ambasadorin amerikan në Beograd Christofer Hill se formimi urgjent i Asociacionit të komunave serbe mbetet përparësi e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në takim sipas tij është biseduar për bisedimet e së hënës në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia janë pajtuar me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve dhe janë zotuar të vazhdojnë diskutimet për rrugët e zbatimit të tij.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha gjatë një debati në parlament lidhur me propozimin evropian që zgjati deri në orët e mëngjesit të së premtes se gjatë gjithë procesit të bisedimeve, Beogradi ka kërkuar zbatimin e Asociacionit si parakusht.
“Pra tërë vjeshtën e kaluar edhe në këtë dimër insistimi i Beogradit është bëjmë marrëveshje pasi që të zbatohet Asociacioni, kjo nuk u bë, kjo është fitore jona, nuk është thjeshtë e imja, është e institucioneve, popullit të Kosovës, qëndrueshmërisë së këtij shteti. Pra e para është që ata kanë dështu që me imponu zbatimin si parakusht. E dyta, kanë dashur që Asociacioni të jetë në krye të herës të propozimit ose në preambulë ose në nenet një apo dy në fillim, është fjalia e fundit te neni i dhjetë, te neni i fundit”, tha kryeministri Kurti.
Por, opozita e akuzoi kryeministrin Kurti për siç thanë mashtrim me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të cilin, sipas tyre tashmë ka pranuar që ta zbatojë.
“Ballafaqohesh me (Aleksandar)Vuçiçin në tavolinë por mendjen e ki në opozitë sepse je popullit, sepse je popullist dhe mendjen e ki te votat. Shiko si mashtron, jo “Zajednica” por po Asociacion. A e dëgjuat se çfarë tha, por tha është i fundit ose parafundit, po çfarë ka lidhje a është i fundit apo parafundit?”, tha kryetari i Lidhjess Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Po manipulon dhe po na kallxon që nuk e ke seriozisht as tash e besa se ke pas seriozisht as atehere kur e ki kundershtu sepse tash kur e ki mundesinë për të korrigjuar ato gabime që po që i kemi bërë ne pse po e thellon Asociaiconin, pse po e thellon sot Tribunalin pra ti ke ardh në pushtet me parandalu “Zajednicën”, tha deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra.
“”Zajednica” (Asociacioni i komunave me shumicë serbe) ka kalu këtu në Kuvend, “Zajednica” nuk kalon, “Zajednica” nuk ka kalu në gjykatë, “Zajednica” nuk ka kalu në popull, “Zajednica” nuk kalon as në kryeministri e qeveri por këtu te ju ka kalu”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Diplomtatët perëndimorë thonë ndërkaq se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash, përfshirë edhe Asociacionin është i pashmangshëm dhe i detyrueshëm.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen nga mesi i këtij muaji në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të vazhduar diskutimet rreth zbatimit të propozimit evropian që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.