Lidhje

Paqartësitë rreth origjinës së koronavirusit


Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Christopher Wray, tha këtë javë se Shtetet e Bashkuara besojnë se pandemia e koronavirusit e ka origjinën nga një aksident laboratorik në Wuhan të Kinës. Sidoqoftë, mes agjencive amerikane të zbulimit ende ka mospajtime të theksuara lidhur me konkluzionin.

Paqartësitë rreth origjinës së koronavirusit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve është shprehur se prej disa kohësh beson se pandemia e koronavirusit ka gjasa ta ketë origjinën nga një aksident laboratorik në Wuhan të Kinës. Por Shtëpia e Bardhë i minimizoi pohimet e FBI-së gjatë një konference shtypi të mërkurën.

“Kemi parë konkluzione të shumta dhe të ndryshme nga komuniteti i zbulimit. Konkluzionet e disa prej tyre kanë thënë të kundërtën. Disa të tjera thonë se nuk kanë të dhëna të mjaftueshme. Ndaj duam të tregohemi të kujdesshëm në këtë drejtim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean Pierre.

Departamenti i Shtetit tha gjithashtu se ka një sërë pikëpamjesh brenda komunitetit të zbulimit amerikan lidhur me origjinën e pandemisë.

“Ajo që dimë është se për më shumë se dy vjet, Kina ka bllokuar hetuesit ndërkombëtarë dhe pjesëtarët e komunitetit global të shëndetit publik, që të kenë qasje tek të dhënat e hershme të pandemisë. Është e rëndësishme, që Pekini të tregohet transparent, jo vetëm për të mirën e njerëzve kudo në botë, por edhe për të mirën e popullit kinez”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ministria e Jashtme kineze tha se gjetjet e zbulimit amerikan nuk janë të besueshme.

“Kina kundërshton me vendosmëri çdo manipulim politik lidhur me gjurmimin e origjinës. Përdorimi i komunitetit të zbulimit për çështje të shkencës është në vetvete dëshmi e politizimit të gjurmimit të origjinës”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Origjina e koronavirusit do të jetë një objektiv i rëndësishëm në hetimet dy-vjeçare lidhur me konkurrencën strategjike të Shteteve të Bashkuara me Kinën, të filluara këtë javë nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“A mendoni se ka një mundësi që laboratori i Wuhan-it të jetë i përfshirë në kërkimet për armë biologjike?”, shtroi pyetjen ligjvënësi republikan Jim Banks

Ne e dimë me siguri se ushtria kineze është e përfshirë në kërkime për koranaviruset. E dimë se po eksperimentonin, duke përdorur teknologji amerikane, meqë ra fjala, për të prodhuar një virus në laborator dhe në fakt është krijuar një i tillë. Ne e dimë që ushtria kineze ishte e përfshirë në përpjekjet për të zhvilluar vaksina për koronaviruset”, tha Matthew Pottinger, ish anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zoti Pottinger, i cili ndihmoi në formulimin e politikave ndaj Kinës gjatë administratës së Presidentit Trump, u tha ligjvënësve se ka patur rrjedhje të shumta të patogjenëve të rrezikshëm nga laboratorët kinezë vitet e fundit, përfshirë koronavisurin origjinal SARS (në vitin 2002).

XS
SM
MD
LG