Lidhje

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi bëhet funksionale


Parlamenti i Malit të Zi miratuan të hënën tre nga katër anëtarët që i mungonin Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kandidati i katërt nuk arriti të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të deputetëve.

Gjykata arrin kështu të ketë numrin e mjaftueshëm të anëtarëve për të funksionuar.

Deputetët zgjodhën gjyqtarët Snezhana Armenko, Dragana Gjuranoviq dhe Momirka Teshiq, ndërsa kandidati i katërt, juristi nga Ulqini që përfaqësonte partitë e pakicave, Faruk Resulbegoviq, nuk siguroi dot shumicën e nevojshme prej dy të tretave. Brenda një muaji pritet të zhvillohet një votim i dytë kur kërkohet mbështetja e tre të pestave të depuetëve.

Seanca e sotme është e gjashta në serinë e përpjekjeve për zgjedhjen e anëtarëve të munguar të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ka tashmë 6 anëtarë nga shtatë gjithsej.

Që nga shtatori i vitit të kaluar kjo Gjykatë kishte mbetur me vetëm tre anëtarë duke pamundësuar vendimet për ankesat kushtetuese, siç janë ato për ligjin e diskutueshëm për presidentin dhe proceset zgjedhore në të paktën dy komuna.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara u kishin bërë thirrje vazhdimisht politikanëve malazezë që t’i japnin fund boshllëkut në Gjykatën Kushtetuese madje Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar një ndërprerje në negociatat e anëtarësimit nëse Gjykata nuk zhbllokohej.

XS
SM
MD
LG