Shtetet e Bashkuara presin një qasje konstruktive të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të synojnë në fund njohjen e ndërsjellë. Përparimi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH-it, në të cilën cilësohet inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar mbi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Të dy kanë pohuar se e pranojnë në parim propozimin që nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se pret që të dy udhëheqësit zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin.
“Plani në vetvete nuk do të negociohet. Palët janë konsultuar pasi projekti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim arsye as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtetë që është plani që trajton çështjen, respekton vijat e kuqe të palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, tha zoti Lajçak në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian tha të premten se në bisedimet e së hënës palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën si dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtari tha se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që është pika më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.
Brukseli dhe Washingtoni kanë shtuar trysninë për një marrëveshje Kosovë – Serbi, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb. Diplomatët thonë se duan të shmangin përsëritjen e krizave dhe se palët do të përballen me pasoja nëse refuzojnë propozimin evropian.