Lidhje

Profesori Hurd: Vendimi i Rusisë për traktatin START është simbolik 


Gjatë vizitës së djeshme në Poloni, presidenti Joe Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj “nuk do të lëkunden kurrë” në mbështetjen e tyre për Ukrainën ndërsa lufta hyn në vitin e dytë. Gjatë fjalimit në Varshavë, presidenti amerikan nuk bëri komente për vendimin e homologut rus, Putin që të pezullonte pjesëmarrjen në traktakin bërthamor START. Por, profesori Ian Hurd nga Universiteti Northwestern në Ilinois të Shteteve të Bashkuara thotë se vendimi i presidentit Putin nuk e ndryshon situatën aktuale dhe se simbolika e tij është që Moska, duke kërcënuar me armët bërthamore, të përshkallëzojë problemet që ka në botë.

Profesori Hurd: Vendimi i Rusisë për traktatin START është simbolik
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Një ditë pas udhëtimit të tij të papritur në Kiev, presidenti amerikan Biden mbajti një fjalim para mijëra njerëzve në Varshavë dhe u takua me presidentët e Polonisë dhe Moldavisë. Udhëtimi i tij synon të forcojë unitetin perëndimor ndërsa Ukraina dhe Rusia po përgatiten për ofensiva në pranverë.

“Një diktator me prirje për të rindërtuar një perandori nuk do të jetë kurrë në gjendje të zvogëlojë dashurinë e njerëzve për liri. Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”, tha presidenti amerikan para njerëzve të shumtë të të mbledhur për të dëgjuar fjalimin e tij.

Ndërsa zoti Biden ishte në Poloni, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Moska do të pezullonte pjesëmarrjen në paktin e fundit me Shtetet e Bashkuara për kontrollin e armëve bërthamore. Profesori Ian Hurd nga Universiteti Northwestern i Ilinois, thotë se tërheqja nuk do të ndryshojë në thelb marrëdhëniet ushtarake, por ka rëndësi simbolike.

“Traktati i ri START është krijuar për të vendosur një kufi në numrin e mbushjeve bërthamore që mund të ketë secila palë. Ai do të skadonte gjithsesi, kështu që fundi i traktatit nuk do të ndryshojë shumë në thelb marrëdhëniet ushtarake mes dy vendeve. Kjo mund të ketë simbolikën që pala ruse do ta shfrytëzojë rrezikun e armëve bërthamore për të përshkallëzuar mosmarrëveshjet politike që ka sot në botë”, tha professor Ian Hurd nga Universiteti Northwestern.

Ministria e Jashtme ruse njoftoi më pas se Moska do të vazhdojë t'i respektojë kufizimet e traktatit. Profesori Ian Hurd, thekson se traktati edhe deri tani nuk ka funksionuar si duhet.

“Traktati nuk është respektuar edhe aq gjatë viteve të fundit. Inspektimet që supozohej të bëheshin nuk u bënë fillimisht për shkak të COVID-19 dhe më pas, sepse rusët nuk lejonin. Ajo që shohim në botë tani është se Rusia është bërë shumë më e guximshme në përdorimin e ushtrisë së saj për të zgjeruar sferën e saj të ndikimit politik në mënyra mjaft mizore. Ky është një sinjal që mund të kemi hyrë në një fazë më militariste të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë, apo mes botës dhe Rusisë. Por traktati ndoshta nuk do ta parandalonte këtë, edhe nëse do të ripërtërihej”, thotë profesori Ian Hurd nga Universiteti Northwestern.

Konflikti në Ukrainë, lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima, ka shkatërruar infrastrukturën e Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.

Ndërsa zoti Biden po kërkon të përdorë udhëtimin e tij në Evropë si një moment afirmimi për Ukrainën dhe aleatët, Shtëpia e Bardhë ka pranuar gjithashtu se nuk ka një përfundim të qartë të luftës në një afat të afërt dhe situata në terren është bërë gjithnjë e më shumë. komplekse.

XS
SM
MD
LG