Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra që të furnizojë me municione të mjaftueshme Ukrainën që ajo të jetë në gjendje të vazhdojë luftën kundër agresionit rus, tha të hënën kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
"Është çështja më urgjente. Nëse dështojmë në këtë drejtim, rezultati i luftës është në rrezik," tha zoti Borrell përpara një takimi me ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së në Bruksel.
Paralajmërimi vjen ndërsa rezervat e municioneve në depot e vendeve të BE-së po pakësohen.
Zoti Borrell i bëri komentet para një takimi të ministrave të jashtëm të bllokut, tema kryesore e të cilit është lufta në Ukrainë.
Ai tha se forcat ruse po qëllojnë rreth 50,000 fishekë artilerie çdo ditë dhe se furnizimet e Ukrainës me municione duhet të ngrihen në të njëjtin nivel.