Lidhje

Turqi, Blinken bën thirrje për anëtarësim të shpejtë të Finlandës dhe Suedisë në NATO 


U.S. Secretary of State Blinken visits Ankara
U.S. Secretary of State Blinken visits Ankara

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të hënën bëri thirrje që Suedia dhe Finlanda të pranohen në NATO "sa më shpejt që të jetë e mundur", gjatë një takimi me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Ankara. Megjithatë, ministri i jashtëm turk hodhi poshtë mundësinë e ndonjë lidhjeje mes pranimit të Helsinkit dhe Stokholmit në NATO dhe kërkesës së Turqisë për avionë luftarakë F-16.

Turqia ka zvarritur procesin e anëtarësimit të dy vendeve nordike në aleancën e NATO-s, duke cituar shqetësimet e saj për terrorizmin.

Ligjvënësit e Kongresit amerikan e kanë lidhur miratimin e marrëveshjes për dërgimin e avionëve F-16 në Turqi me tërheqjen e kundërshtimit të Ankarasë ndaj zgjerimit të NATO-s.

"Çështja e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk është një çështje dypalëshe mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Natyrisht, ne e mbështesim fuqishëm anëtarësimin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne kemi besim se NATO do t'i mirëpresë ato zyrtarisht së shpejti dhe kjo do të forcojë sigurinë e çdo anëtari të saj, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë", tha sekretari Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Ankara.

Zoti Cavusoglu përsëriti qëndrimin e Turqisë se ajo është e gatshme të miratojë anëtarësimin e Finlandës në NATO përpara Suedisë.

Turqia është ankuar për atë që e sheh si tolerancë të Stokholmit ndaj mbështetjes për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, e cila është organizatore e një kryengritje 39-vjeçare kundër Ankarasë.

Ndonëse e pranoi se Suedia ka bërë ndryshime kushtetuese në përpjekjet për të plotësuar kërkesat e Turqisë, ai tha se duhej bërë më shumë për të "bindur parlamentin dhe popullin tonë".

"Kjo varet nga mundësia e Suedisë për të marrë hapa të shpejtë dhe të mirë dhe më pas nga aftësia jonë për të bindur parlamentin dhe popullin tonë për ta miratuar kërkesën e saj për anëtarësim në NATO. Lidhur me Finlandën, presidenti ynë ia ka bërë të qartë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s javën e kaluar se ne mund të ndjekim një rrugë tjetër. Në fund të gjithë duhet të inkurajojnë Suedinë që të ndërmarrë hapa konkrete", tha ai.

Ankaraja po përpiqet të modernizojë flotën e saj të avionëve F-16 pasi u përjashtua nga projekti për prodhimin e avionëve të avancuar luftarakë F-35 për shkak të blerjes së një sistemi raketor rus të mbrojtjes ajrore.

Duke nënvizuar mbështetjen e administratës amerikane për marrëveshjen me Turqinë për avionët F-16, Sekretari Blinken tha se ajo është "shumë e rëndësishme për përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit operacional brenda NATO-s dhe në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara".

XS
SM
MD
LG