Në Tiranë, përfaqësues të shoqërisë civile, Kuvendit dhe bashkësive fetare diskutuan sot me shqetësim mbi dhunimin e familjes shqiptare, si dhe mbi vështirësitë që ajo has aktualisht përballë krizave ekonomike dhe shoqërore.
Koalicioni pro Familjes dhe Jetës zhvilloi sot një tubim, ku u theksua se familja shqiptare po dhunohet nga brenda dhe jashtë saj, ndaj mbrojtja e këtij institucioni themelor të shoqërisë është shndërruar në një detyrë urgjente.
Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës theksoi sot në takimin e dytë vjetor se midis shumë nevojave për një jetë më të mirë të qytetarëve mbrojtja e familjes nga dhuna e gjithanshme po shndërrohet në një sfidë kryesore.
Krahas përfaqësuesve të shoqërisë civile, komuniteteve fetare, në tubim e morën fjalën edhe deputete të Kuvendit, të cilat u angazhuan që këtë mision të mbrojtjes së grave dhe familjes ta vazhdojnë në procesin ligjvënës.
Ato theksuan se duhen bashkuar forcat kundër dhunës së çfarëdolloj forme, e sidomos kundër dhunës, që prek dinjitetin e grave, e cila reflektohet drejtërdrejt në familjet shqiptare.
Deputetja socialiste, Etilda Gjonaj, e cila është bashkëkryetare e Aleancës së grave deputete në Kuvend, tha se mbrojtja e familjes me politika të veçanta është një angazhim i rëndësishëm.
“Legjislacioni shqiptar është i plotë aktualisht sa u takon masave për mbrojtjen e familjes. Duhet të bëjmë më shumë për fëmijët, për gratë, për viktimat e dhunës në familje, për viktimat e trafikimit, për të rinjtë, si dhe në aspekte të ndryshme sociale, si nënat kryefamiljare, moshat e treta, dhe shumë kategori të treta që janë në nevojë”, thotë zonja Gjonaj.
Ligjvënëset nënvizuan se shoqëria dhe kërkesat e saj po ndryshojnë me shpejtësi, ndaj nevojiten studime dhe analiza të vazhdueshme lidhur me fushat ku duhet ndërhyrë me ligje dhe politika sociale.
Deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, Greta Bardeli Gjoni, tha se familja shqiptare mori goditje të rënda gjatë diktaturës komuniste, kur u mbyllën të gjithë institucionet fetare, por si atëherë ashtu edhe tani është besimi fetar, që do të mbrojë dhe ndihmojë familjen shqiptare që ta marrë veten nga vështiësitë e shumta.
“Gjatë diktaturës u ndalua besimi fetar i të gjithë besimeve, por familjet shqiptare arritën që këtë besim ta përcillnin brez pas brezi duke mbajtur gjallë atë. Familja është pasuria më e shenjtë e shoqërisë, e cila duhet ruajtur dhe kultivuar ndër breza ashtu si deri sot”, tha zonja Bardeli.
Dhuna midis pjesëtarëve në familje po denoncohet përherë e më shumë nga gratë e vajzat, po ashtu si edhe aktet e dhunës ndaj vet familjes nga jashtë saj, ndërsa institucionet shtetërore po shtojnë masat në ndihmë të tyre, si nga pikëpamja e sigurisë ashtu edhe nga ana ekonomike.
Ndër masat më të fundit, qeveria e ka mbrojtur familjen përballë krizës së çmimeve, për shkak të luftës në Ukrainë. Po ashtu 6mijë e 700 nëna kryefamiljare përfituan nga ndihma dhe lehtësi ekonomike, ndërsa nënave me 3 fëmijë u garantohen sigurimet shoqërore nga shteti gjatë 5 viteve të para të jetës së fëmijës.
Megjithatë pjesëmarrësit renditën shumë probleme të tjera që lidhen me papunësinë e bashkëshortëve dhe edukimin e pamjaftueshëm të fëmijëve, si dhe emigrimin e shumë të rinjve vitet e fundit.