Lidhje

Stoltenberg: Ka ardhur koha që Turqia t’i thotë po anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të enjten se është koha që të ratifikohen protokollet e pranimit të Finlandës dhe Suedisë, si anëtarë të rinj të aleancës ushtarake.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Ankara, me në krah Ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, zoti Stoltenberg tha se kryesore nuk është nëse vendimi do të merret për të dyja vendet në të njëjtën kohë, por që miratimi i protokolleve të bëhet "sa më shpejt të jetë e mundur".

Zoti Çavuşoğlu tha se Turqia mund t'i shqyrtojë kërkesat e dy vendeve për anëtarësim, veç e veç.

Turqia dhe Hungaria janë të vetmet anëtarë të NATO-s që nuk e kanë ratifikuar protokollet për pranimin në aleancë të Finlandës dhe Suedisë, një proces që duhet të jetë unanim. Finlanda dhe Suedia aplikuan për t'u bërë pjesë e NATO-s vitin e kaluar, pas sulmit rus në Ukrainë. Ngurrimi i Turqisë lidhet kryesisht me Suedinë, qeverinë e së cilës Ankaraja e akuzon se është shumë e butë me grupet që Turqia i konsideron si organizata terroriste.

Të enjten zoti Stoltenberg tha se Suedia dhe Finlanda kanë zbatuar politika që marrin parasysh shqetësimet e shprehura nga Turqia duke vënë në dukje se terrorizmi, do të jetë një temë kryesore në takimin e NATO-s që mbahet në korrik.

Ky është një vendim i Turqisë. Është qeveria turke, parlamenti turk që vendos mbi çështjen e ratifikimit (të protokolleve të pranimit)”, tha ai.

XS
SM
MD
LG