Në Tiranë, deputetë të opozitës protestuan sot brenda Kuvendit dhe jashtë tij, duke kërkuar sqarime nga kryeministri Edi Rama lidhur me çështjen McGonigal.
Një mocion me zotin Rama do të mbahet më 2 mars, ndërsa kërkesa e opozitës për një komision hetimor mbi këtë çështje është shtyrë nga shumica pa ndonjë kohë të caktuar.
Mbështetës të opozitës dhe të ish kryeministrit Sali Berisha zhvilluan sot një tjetër protestë në sheshin përpara Kuvendit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për skandale korruptive dhe interpelancë me të lidhur me përzjerjen e tij në çështjen McGonigal.
Protestuesve iu bashkuan deputetët opozitarë, të cilët nuk u lejuan të hynin në seancën plenare, pas përjashtimit të tyre dhjetëditor për shkelje të rregullave të etikës parlamentare.
Ish kryeministri Berisha tha se Kuvendi me shumicë socialiste po përjashton nga seancat një seri deputetësh opozitarë vetëm pse po kërkojnë fjalën si dhe shpjegime nga kryeministri Edi Rama për çështjen McGonigal, por ai prej ditësh qëndron larg Kuvendit.
“Në taksat tona, në të gjithë pasuritë publike të shqiptarëve këta vjedhin natë e ditë, çdo javë e çdo vit. Duhet t’u themi “Jo!” Gonigalëve dhe Edi Ramës. Ne problem kemi Edi Ramën dhe pa larguar Edi Ramën nuk ka gjykatë, nuk ka drejtësi, nuk ka të drejta njerëzore dhe as antikorrupsion”, tha zoti Berisha.
Ndërsa protesta para Kuvendit vazhdonte, një tjetër protest brenda sallës plenare zhvilluan deputetët opozitarë, që bllokuan foltoren, dëmtuan mikrofonat e saj dhe u frynin bilbilave, duke kërkuar që kryeministri Rama të paraqitej për interpelancën urgjente të kërkuar prej tyre, e cila do të duhej të mbahej në seancën e radhës, siç iu referuan ata rregullores.
Deputetë të opozitës kanë bërë disa kërkesa: një për seancë pyetjesh, një për interpelancë urgjente dhe një tjetër mocion me debat me kryeministrin Edi Rama.
Shumica vendosi që mocioni me zotin Rama të zhvillohet pas dy javësh në datën 2 mars.
“Sa i përket mocionit me debat: kërkesa është miratuar, por ju nuk keni asnjë interes të bëni mocion me debat për këtë çështje, sepse e vërteta është që kontratat oligarkut rus ia keni dhënë ju bashkë me Saliun tuaj”, iu drejtua deputetëve opozitarë kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Një debat po aq i gjatë dhe i ashpër u bë edhe për shtyrjen e kërkesës së opozitarëve për ngritjen e një komisioni hetimor mbi ligjshmërinë e takimeve të kryeministrit Edi Rama me zyrtarin e FBI McGonigal.
Socialistët vendosën ta shtyjnë këtë kërkesë deri në miratimin e një ligji të ri për komisionet hetimore, ndërsa opozitarët këmbëngulën që komisioni hetimor të ngrihej me ligjin ekzistues.
Kryeministri Edi Rama u fut në seancën plenare vetëm në fazën e fundit dhe nuk e mori fjalën, megjithë kërkesën e opozitës që të niste menjëherë për interpelancën urgjente për çështjen McGonigal.
Në fund të seancës plenare, në mesin e bilbilave të opozitarëve, ndërsa protesta jashtë ishte shpërndarë, drejtuesja e seancës njoftoi ndëshkime të tjera për deputetët që thyen rregulloren, ndërsa shumica rrëzoi me 78 vota kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.