Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley, nisi të mërkurën fushatën për presidente të Shteteve të Bashkuara. Siç njofton nga Uashingtoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman, zonja Haley është republikania e parë me peshë, që sfidon zyrtarisht ish-Presidentin Donald Trump, gjatë administratës të së cilit, ajo shërbeu si ambasadore në OKB.
Në tubimin e saj të parë, pjesë e fushatës presidenciale, mbajtur në shtetin e Karolinës së Jugut, Nikki Haley tha se ka ardhur koha që vendi të udhëhiqet nga fytyra të reja.
“Ne jemi gati! Gati për të hedhur pas ide bajate e emra të venitur të së shkuarës. Ne jemi më shumë se gati, që një brez i ri të na udhëheqë në të ardhmen”, tha ajo.
Kjo ishte mënyra më e afërt për t’iu referuar Donald Trump-it, i cili kandidon për president për herë të tretë. Por gjatë fjalimit zonja Haley nuk përmendi premtimin që kishte bërë në dhjetor të vitit 2021.
“Nuk do të kandidoj nëse kandidon Presidenti Trump”.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, përmes një zëdhënësi të fushatës, zoti Trump vuri në dukje premtimin e mëparshëm të zonjës Haley. Ai tha gjithashtu se i kishte thënë zonjës Haley, të ndjekë atë çka i thotë zemra e të bëjë atë që dëshiron, duke i uruar asaj fat.
Në një video, nëpërmjet së cilës njoftoi se do të kandidonte si presidente, zonja Haley e portretizon veten si një person që do të garantonte të ardhmen e partisë.
“Republikanët kanë humbur votën popullore në shtatë nga tetë zgjedhjet e fundit presidenciale. Kjo duhet të ndryshojë”, shprehej ajo.
John Fortier, një nga përfaqësuesit kryesorë të ‘American Enterprise Institute’, një institut hulumtimi mbi politika publike, thotë se zonja Haley, një vajzë emigrantësh nga India, nuk do të jetë kundërshtarja më e fortë e Donald Trump-it.
“Si ambasadore në OKB, ajo ishte besnike e Presidentit Trump dhe nuk u nda me të, siç bënë disa nga Partia Republikane. Mendoj se votuesit republikanë e shohin këtë si diçka positive kur shqyrtojnë një kandidat të ri. Si anë negative mendoj se ajo nuk do të arrijë të sigurojë mbështetje aq të fortë tek amerikanët, apo votuesit republikanë, sa disa kandidatë të tjerë”.
Zonja Haley ka të ngjarë të jetë kandidatja e parë mes atyre republikanëve që kërkojnë të pengojnë kthimin e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Gjasat janë që në garë të hyjnë tre persona që shërbyen gjatë administratës Trump, Nënpresidenti Mike Pence, ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo si dhe ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton.
“Personi kryesor në këtë garë, i cili shihet si një alternativë e mundshme ndaj Donald Trump-it, është Guvernatori i Floridës Ron DeSantis. Mendoj se arsyet për këtë janë se ai është portretizuar, si një guvernator i një shteti të rendësishëm me prirje republikane, shumë nga karakteristikat e Donald Trump-it”, thotë zoti Fortier.
Ashtu sikurse zoti Trump dhe zoti DeSantis është përqëndruar në çështjet e luftës kulturore dhe ai pritet të dominojë kandidatët e tjerë republikanë, për sa i takon mbledhjes së fondeve për fushatë. Kjo mund ta bëjë atë tërheqës për besnikët e partisë, që dëshirojnë një kandidat të fortë për t'u përballur me kandidatin e pritshëm të Partisë Demokrate, Presidentin aktual Joe Biden.
Nëse mbështetja ndaj zonjës Haley do të vazhdojë të jetë njëshifrore, ajo mund të shihet më shumë si një kandidate potenciale për nënpresidente.
Një numër i madh kandidatësh që konkurrojnë kundër ish-presidentit si dhe njëri-tjetrit, mund t'i hapin rrugën zotit Trump, të përsërisë atë që bëri në 2016-n, kur sapo hyri në politikë, garantimin e mbështetjes së mjaftueshme për të pastruar terrenin, dhe siguruar emërimin zyrtar nga Partia Republikane.