Lidhje

Shqipëri, KQZ pret Apelin për PD-në ndërsa Berisha thërret tjetër tubim para Kuvendit


Në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka gati fondet dhe komisionet për zgjedhjet vendore të 14 majit, por mbetet në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me autoritetin përfaqësues të Partisë Demokratike.

Shqipëri, KQZ pret Apelin për PD-në ndërsa Berisha thërret tjetër tubim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Ish-kryeministri Sali Berisha ftoi mbështetësit e tij për një tubim proteste më 3 mars, ditën që Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë këtë çështje. Opozita do të zhvillojë një tjetër tjetër tubim nesër para Kuvendit.

Në valën e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 14 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pohoi se ka gjithçka gati, por mbetet në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me autoritetin përfaqësues të Partisë Demokratike.

Komisionet zgjedhore janë konstituuar formalisht dhe janë funksionale, edhe pse zgjedhjet janë 3 muaj larg dhe ata nuk kanë ndonjë veprimtari konkrete.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, tha sot për shtypin se fondi i përcaktuar u shpërndahet atyre partive, që kanë marrë pjesë në zgjedhjet pararendëse, dhe PD nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore të 2019, megjithatë ligji ka edhe një përjashtim në nenin 180, nga i cili përfiton Partia Demokratike, si pjesëmarrëse e zgjedhjeve të mëparshme.

Zoti Celibashi tha se sipas ligjeve, nuk mund të ketë dy parti me të njëjtin emër, se ka vetëm një PD, e cila do të regjistrohet në zgjedhje, nëse do të plotësojë kushtet ligjore.

Në çastin që do të paraqitet kërkesa për regjistrim, KQZ do të vlerësojë cilësitë dhe kriteret e personave që paraqesin kërkesën për regjistrim, shtoi ai.

Por para se të ndajë fondet KQZ duhet të presë vendimin e datës 3 mars nga gjykata e apelit për konfliktin se cili është organi udhëheqës i Partisë Demokratike, shtoi ai.

“Besoj se është një angazhim pozitiv i gjykatës për t’u disponuar për këtë çështje para se të nisë procesi zgjedhor. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen në zgjedhje të partisë kryesore të opozitës. Duhet të jetë i qartë, edhe nga pikëpamja formale, organi drejtues i asaj partie”, thotë zoti Celibashi.

3 marsin po e presin me padurim edhe mbështetësit e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili ka marrë në kontroll Partinë Demokratike.

Ai u bëri sot thirrje përkrahësve të tij, që të mblidhen për një tubim proteste më 3 mars në kryeqytet, pikërisht në datën kur Gjykata e Apelit pritet të marrë një vendim lidhur me autoritetin përfaqësues të Partisë Demokratike.

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë, që njohu kongresin e organizuar nga ndjekësit e ish kryeministrit Berisha u apelua nga kyetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, i cili mban statusin e drejtuesit të parties, pas dorëheqjes së ish kryetarit Lulzim Basha.

“Protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Ajo nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucione të tjera”, thotë zoti Berisha.

Ish kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij zhvilluan fundjavën e kaluar një tubim proteste para selisë së qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për skandale korruptive të përmësave të mëdha, akuza të cilat ai i ka hedhur poshtë.

Të hënën ata zhvilluan një tjetër protestë para Kuvendit, ndërkohë që disa deputetë opozitarë u munduan të bllokonin foltoren.

Zoti Berisha bëri thirrje për një tjetër tubim para Kuvendit nesër në mëngjes, për të penguar, siç u shpreh ai, hyrjen e kryeministrit Rama në seancën plenare.

Për shkak të përjashtimeve të herëpashershme grupe grupe pas çdo seance plenare, ku protestojnë, bllokojnë foltoren, godasin tryezat dhe u fryjnë bilbilave, numri i deputetëve opozitarë në seanca plenare është përherë e më i pakët.

Edhe sot Kuvendi përjashtoi për 5 dhe 10 ditë edhe 4 deputetë të tjerë opozitarë pas tensioneve në seancën e ditës së hënë, ndërsa nesër pritet protest tjetër jashtë Kuvendit dhe reagime të opozitarëve brenda tij.

XS
SM
MD
LG