Lidhje

Perëndimi kundërshton vendimin e Izraelit për ndërtimet në Bregun Perëndimor 


Ministrat e jashtëm të pesë fuqive perëndimore thanë të martën se ishin “thellësisht të shqetësuar” nga vendimi i qeverisë izraelite për të legalizuar nëntë vendbanime në Bregun Perëndimor dhe për të ndërtuar mijëra të reja.

Ministrat nga Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara thanë: “Ne i kundërshtojmë fuqishëm këto veprime të njëanshme që do të shërbejnë vetëm për të rritur tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe për të minuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të negociuar me dy shtete”.

Ata nënvizuan mbështetjen e tyre për një “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, e cila duhet të arrihet përmes negociatave të drejtpërdrejta midis palëve”.

“Ne vazhdojmë të vëzhgojmë nga afër zhvillimet në terren që ndikojnë në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete dhe stabilitetin në rajon në përgjithësi”, shtuan ata.

Izraeli njoftoi të dielën se do të legalizonte nëntë vendbanime në Bregun Perëndimor pas disa sulmeve në Jeruzalemin lindor, duke përfshirë një që vrau tre izraelitë.

Këto vendbanime ishin ndërtuar pa autorizimin e qeverisë izraelite.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, para se të nënshkruante deklaratën e fuqive perëndimore, i kishte kritikuar të hënën planet e Izraelit për rritjen e numrit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Vendimi i Izraelit u mor pas një vizite të zotit Blinken në rajon, në të cilën ai paralajmëroi në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër zgjerimit të vendbanimeve teksa bënte përpjekje të zbuste tensionet pas dhunës.

Më shumë se 475,000 izraelitë banojnë në vendbanimet në Bregun Perëndimor, zonë ku jetojnë 2.8 milionë palestinezë.

XS
SM
MD
LG