Ministrat e mbrojtjes së NATO-s po takohen sot për të diskutuar për mbështetjen e mëtejshme ndaj Ukrainës, ndërsa Rusia duket se ka filluar një ofensivë të re. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin rikonfirmoi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të qëndruar në krah të Kievit. Megjithatë shumë nga aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara po i thonë jo kërkesës së Ukrainës për avionë luftarakë.
Sekretari Austin tha se aleanca ushtarake transatlantike ka dhënë afro 50 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës dhe se mbështetja ushtarake do të vazhdojë.
"Një vit më pas, ne jemi më të bashkuar se kurrë më parë. Dhe kjo vendosmëri e përbashkët do të ndihmojë në ruajtjen e qëndresës së Ukrainës në javët vendimtare në vijim," tha zoti Austin në takimin që po mbahet në Bruksel.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin po përgatitej për ofensiva të reja, duke e bërë edhe më të rëndësishme që aleatët dhe partnerët e NATO-s të ofrojnë më shumë mbështetje për Ukrainën.
Por kjo mbështetje nuk ka gjasa për momentin të përfshijë avionë luftarakë, një nga kërkesat kryesore të Ukrainës. Përpara takimit, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov u tregoi gazetarëve një skicë të një avioni luftarak, kur u pyet se çfarë ndihme ushtarake po kërkon vendi i tij.
"Çështja e avionëve nuk është më urgjentja tani, por është një diskutim i vazhdueshëm. Ne kemi konsultime të vazhdueshme mes aleatëve mbi llojet e sistemeve që aleatët duhet t'i japin Ukrainës. Lloji i mbështetjes që i ofrojmë Ukrainës ka ndryshuar dhe evoluar me kalimin e kohës, dhe do të vazhdojë të ndryshojë dhe të evoluojë", tha zoti Stoltenberg.
Edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, shprehu rezerva për furnizimin me avionë luftarakë.
"Mendoj se të gjithë e kuptojnë se çështja e mbrojtjes ajrore dhe furnizimi me municione janë shumë më të rëndësishme për momentin sesa diskutimi për avionët luftarakë. Të gjithë e dinë se vetëm trajnimi për t'i përdorur ato zgjat disa muaj, pa përmendur nevojën e zhvillimit të aftësive për vendosjen e sistemeve të armëve”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara u kanë thënë jo avionëve luftarakë për Ukrainën. Por Mbretëria e Bashkuar po e peshon një mundësi të tillë. Dhe ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren tha të martën se dërgimi i avionëve "duhet të jetë pjesë e konsideratës".
“Sigurisht bëhet fjalë për një sistem kompleks armësh dhe ne duhet ta debatojmë këtë me partnerët tanë, me Shtetet e Bashkuara. Është diçka që do të marrë kohë. Dhe është më mirë që ky diskutim të bëhet pas dyerve të mbyllura për të parë se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur, cilat do të ishin pasojat."
Megjithatë, aleatët dhe partnerët e NATO-s janë më të shqetësuar për nevojat e Kievit për sasi të mëdha municionesh pasi lufta po hyn në vitin e saj të dytë dhe ofensiva e re ruse është në fazat e para.