Lidhje

Mesazhi dypartiak i Presidentit Biden ndesh në kundërshti për çështje si emigracioni, Kina dhe Ukraina


Gjatë fjalimit të Presidentit Biden në sesionin e bashkuar të Kongresit
Gjatë fjalimit të Presidentit Biden në sesionin e bashkuar të Kongresit

Presidenti Joe Biden thotë se dëshiron që Kongresi të përpiqet për bashkëpunimin dypartiak për sfidat domethënëse të politikave të brendshme dhe të jashtme me të cilat do të përballen Shtetet e Bashkuara në muajt në vazhdim. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ligjvënësit kanë pikëpamje shumë të ndryshme për çështjet kryesore.

Mesazhi dypartiak i Bidenit ndesh kundërshti.mp4
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Presidenti Joe Biden dha një mesazh dypartiak gjatë fjalimit të tij në Kongres.

“Nëse arritëm të punojmë së bashku në Kongresin e mëparshëm, nuk ka asnjë arsye përse të mos punojmë së bashku tani dhe të gjejmë konsensusin për gjërat e rëndësishme edhe në këtë Kongres”, tha ai.

Por në Kongresin e ndarë tashmë në një Senat me shumicë demokrate dhe një Dhomë të Përfaqësuesve me shumicë republikane, ligjvënësit nuk bien dakord për çështjet e mëdha për të cilat Presidenti Biden tha se vendi duhet të gjejë një zgjidhje.

“Republikanët thërrasin ‘mbyllni kufirin’, pa pranuar se kjo nuk është zgjidhje për problemin. Mendoj se duhet të tregohemi më seriozë për kufirin, për pikat e tjera të hyrjes, si aeroportet. Por gjithashtu duhet të merremi edhe me ata miliona të rinj, disa tashmë mbi 30 vjeç, që u sollën në këtë vend si fëmijë, nga prindët e tyre”, thotë Ligjvënësi demokrat Mark Takano.

Republikanët thonë se kërkesa e Presidentit Biden për më shumë fonde për kufirin do të inkurajonte më shumë emigracion. Disa republikanë e shohin me skepticizëm kërkesën e Presidentit Biden për më shumë fonde për sigurinë kufitare, duke patur frikën se fondet do të përdoren në mënyra që inkurajojnë emigracionin.

“Nëse u japim më shumë fonde, do t’i përdorin për të pranuar më shumë, për të lehtësuar procesin dhe për t’u dhënë më shumë emigrantëve që vijnë. Për këto qëllime do të shkojnë paratë, në vend që ta ndalin emigracionin dhe ta dekurajojnë atë”, thotë Ligjvënësi republikan Brian Babin.

Presidenti Biden tha se mbështetja për Ukrainën është një interes kryesor kombëtar i Shteteve të Bashkuara.

“Ka të bëjë me reputacionin tonë përpara të gjithë botës, përpara komunitetit global. Ne jemi për demokracinë, ne jemi fanari i shpresës për demokracitë në mbarë botën. Duhet ta mbështesim Ukrainën”, thotë Ligjvënësi demokrat Vicente Gonzalez.

...Por ligjvënësit republikanë kërkojnë më shumë mbikqyrje ndaj ndihmave amerikane për luftën kundër agresionit të Rusisë.

“Si është plani? Të sugjerojmë që është një çek i bardhë i pakufizuar për Ukrainën. Dhe kini parasysh, kur dërgojmë armatime në Ukrainë, nuk e kontrollojmë ne se ku shkojnë ato armë”, tha Ligjvënësi republikan Ryan Zinke.

Republikanët gjithashtu thonë se Presidenti Biden nuk reagoi me shpejtësinë e duhur për balonën spiune kineze që u godit dhe u rrëzua javën e kaluar.

“Është gjithnjë shumë i paqartë. Ai nuk dëshiron të provokojë, por duke vepruar kështu i tundon kinezët që të bëjnë edhe më shumë. Mendoj se ata e shohin dhe e ndjejnë dobësinë”, tha Ligjvënësi republikan Don Bacon.

Por Presidenti Biden argumentoi se Shtetet e Bashkuara janë në një konkurim me Kinën, dhe jo në konflikt.

“Presidenti bëri gjënë e duhur dhe priti derisa balona doli në breg dhe u gjend në një hapësirë të sigurtë për ta rrëzuar. E rrëzuam, dhe mendoj se i treguam Kinës, Rusisë dhe botës se nëse vini dhe provoni manovrime të tilla në vendin tonë, atëherë do të ketë pasoja”, tha Ligjvënësi demokrat Vincente Gonzalez.

Kongresi i ndarë do të përballet me një test kryesor në fund të majit, kur tavani i borxhit duhet të ngrihet, për të shmangur mospagimin e borxheve të qeverisë amerikane.

XS
SM
MD
LG