Në Shqipëri, zbatimi i hartës së re gjyqësore vazhdon të përcillet me diskutime të shoqërisë civile dhe institucioneve të reja të drejtësisë, lidhur me transparencën dhe efektshmërinë e saj.
Shqetësimi kryesor për vëzhguesit e pavarur është mbyllja e shumë gjykatave në rrethe dhe sidomos mbledhja e gjithë gjykatave të apelit në një gjykatë të vetme në kryeqytet.
Diplomatë europianë, përfaqësues të disa institucioneve të drejtësisë si dhe të shoqërisë civile diskutuan sot në mjediset e BE-së në Europe House rreth një tryeze të rrumbullakët mbi “Dritëhijet dhe efektet e hartës së re gjyqësore të të Shqipërisë”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit theksoi në raportin e vet mbi zhvillimet në fushën e drejtësisë se procesi i hartimit dhe zbatimit të hartës së re gjyqësore ka qenë i mbyllur dhe jotransparent.
Drejuesja e KSHH-së, Erinda Skëndaj, tha se grupi ndër-institucional për riorganizimin e rretheve gjyqësore, që ngriti KLGJ dy muaj pas konstituimit të tij, nuk ishte transparent me publikun për 3 vjet të punës së tij, nuk zhvilloi konsultime gjithëpërfshirëse gjatë hartimit të raportit të vlerësimit të nevojave mbi riorganizimin gjyqësor, por i bëri këto formalisht vetëm në fazën fundore, ku nuk pranoi asnjë sugjerim nga oponenca ligjore në raportin e vlerësimit, që KSHH që paraqiti në shkurt të vitit të kaluar, ose 6 muaj para se harta të miratohej.
“Ne kërkuam që minimalisht të kishim një përgjigje se përse sugjerimet dhe rekomandimet tona nuk merren në konsideratë. Patëm një një treyzë diskutimi me drejtues të KLGJ-së dhe me përfaqësues të grupit të punës, por asnjëherë nuk morëm një reagim zyrtar, se përse shqetësimet e ngritura prej nesh nuk u morën në konsideratë”, tha zonja Skëndaj.
Shqetësimi kryesor që ka ngritur KSHH-ja është mbledhja e të gjashtë gjykatave të Apelit vetëm në një gjykatë Apeli në kryeqytet, gjë që, sipas tyre, nuk është bërë në asnjë shtet që ka ndërmarrë reformë zgjedhore.
Zëvendës kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, tha se harta e re gjyqësore është pjesë e reformimit të sistemit gjyqësor dhe ka nevojë për kohën e zbatimit të saj.
Zoti Rusi tha se gjithë subjektet u dëgjuan për 3 vjet në të gjithë propozimet, dhe në fund u vendos për një hartë gjyqësore në shërbim të publikut në mënyrën më të mirë të mundshme, e cila do të rishikohet çdo 5 vjet.
“Pavarësisht të gjithave, harta është rezultat i një pune të përbashkët, dhe si e tillë, të gjithë në rrugëtim, secili mund të punojë më pak ose më shumë, mund të kritikojë më pak ose më shumë, por të gjitha i shërbejnë procesit”, tha zoti Rusi.
Institucionet ndërkombëtare shpresojnë që reforma në sistemin gjyqësor të Shqipërisë të sjellë goditje më të madhe të korrupsionit, rritje të integriteti dhe efikasitetit të gjykatave.
Ndërsa analisti i politikës dhe pedagogu i gazetarisë, Lutfi Dervishi, theksoi se pastrimi i radhëve të drejtësisë deri 67 për qind prej procesit të vetingut, është shumë më i thellë nga çfarë ishte parashikuar, por nga ana tjetër doli në pah mungesa e burimeve njerëzore.
“Komisioni i Venecias ngriti dy shqetësime kryesore në raportin e parë në vitin 2016, shtatë vjet më parë, duke thënë: Po bëni një reformë shumë të madhe dhe të thellë, por a i keni burimet njerëzore për ta përballuar këtë? Përgjigj që morën në Tiranë ishte po. Së dyti Venecia i tha Tiranës se po ngrinte shumë institucione për të goditur korporatizmin dhe kjo mund të kthehej në të kundërt”, theksoi zoti Dervishi.
Nga ana tjetër përfaqësues të qeverisë pohuan se reforma ka nevojë për kohën e zbatimit të saj dhe se ajo siguroi ndarjen e pushtetit gjyqësor nga politika.
Krahas këtyre, zëvendës ministri i drejtësisë Klajdi Karameta shtoi se “reforma gjyqësore ka marrë mbështetje të plotë nga gjithë parlamenti dhe është ndihmuar nga afër prej ekspertizave teknike prej SHBA-ve dhe BE-së, përfaqësues të të cilëve kanë qenë të pranishëm në çdo takim pune”.
Nga fillimi i këtij muaji në Shqipëri ka nisur të zbatohet harta e re gjyqësore, e cila sjell një reduktim të ndjeshëm të numrit të gjykatave në vend.
Gjashtë gjykata Apeli janë shkrirë në një të vetme në kryeqytet, duke trashëguar mbi 29 mijë çështje për shqyrtim.
Harta e re gjyqësore u miratua në korrik të vitit të shkuar, megjithë kundërshtimet nga komuniteti i avokatëve, të cilët theksuan se riorganizimi i sistemit gjyqësor cënon aksesin e qytetarëve dhe rrit kostot e tyre.
Harta e re gjyqësore nuk prek vetëm gjykatat e Apelit por edhe gjykatat e tjera. Pas 3 muajsh, nga 22 gjykata të shkallës së parë 9 do të mbyllen dhe do të mbeten vetëm 13, ndërsa pas 5 muajsh do të mbeten vetëm dy gjykata administrative.