Kryeministri i Norvegjisë propozoi të hënën një pako ndihme prej 7.3 miliardë dollarësh për Ukrainën, zotimi i fundit i mbështetjes nga aleatët evropianë të Ukrainës, ndërsa ajo përballet me agresionin rus.
Kryeministri Jonas Gahr Stoere u tha gazetarëve pas takimit me krerët e opozitës se ndihma do të jepet për një periudhë pesëvjeçare dhe se qeveria e tij dëshiron të japë gjithashtu mbështetje shtesë për vendet e tjera të prekura nga konflikti.
“Ne po propozojmë që Norvegjia të japë një kontribut në vazhdimësi për Ukrainën”, tha ai.
Parlamenti i Norvegjisë duhet të miratojë paketën e ndihmës.
Gazeta “Financial Times” njoftoi të hënën se Bashkimi Evropian po përgatitet për një vizitë të mundshme këtë javë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për t'iu drejtuar Parlamentit Evropian.
Udhëheqësit e BE-së udhëtuan javën e kaluar në Kiev për t'u takuar me zotin Zelenskyy dhe udhëheqës të tjerë ukrainas për të diskutuar reagimin e BE-së ndaj agresionit të Rusisë, si dhe kërkesën e Ukrainës për t'u anëtarësuar me Bashkimin Evropian.
Që kur Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës gati një vit më parë, presidenti Zelenskyy ka bërë vetëm një udhëtim jashtë Ukrainës.
Ofensiva ruse
Ukraina tha të dielën se po merr masat për t’u përballur me një ofensivë të madhe ruse që besohet se do nisë këtë muaj dhe mund të përkojë me përvjetorin e agresionit rus më 24 shkurt. Kievi thotë se ka rezerva për t’u përballur me forcat e Moskës.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha në një konferencë shtypi se Rusia mund të nisë sulmin për arsye “simbolike”, edhe pse forcat e Moskës nuk janë të përgatitura ushtarakisht.
“Pavarësisht të gjithave, ne presim një ofensivë të mundshme ruse në shkurt”, tha zoti Reznikov.
“Kjo është vetëm nga pikëpamja e simbolizmit; nuk është logjike nga pikëpamja ushtarake. Sepse jo të gjitha burimet e tyre janë gati. Por ata janë duke e bërë gjithsesi”.
Ministri ukrainas Reznikov tha se ofensiva ruse ka të ngjarë të nisë në lindje, ku luftimet kanë qenë të përqendruara prej muajsh dhe Rusia po përpiqet të pushtojë të gjithë rajonin e Donbasit të industrializuar, ose ndoshta jugun, ku dëshiron të zgjerojë korridorin e saj tokësor drejt Gadishullit të pushtuar të Krimesë që e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.
Shefi i mbrojtjes vlerësoi se Rusia kishte 12,000 trupa të stacionuara në bazat ushtarake bjelloruse, një numër shumë i vogël për të nisur një sulm të rëndësishëm në veriun e Ukrainës.
Forcat ruse kanë bërë përparime në rritje në lindje ndërsa Moska përpiqet të pushtojë qytetin e sulmuar të Bakhmutit, ku po zhvillohen luftime për javë të tëra.
Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore kanë premtuar miliarda dollarë ndihmë të re ushtarake, përfshirë tanke dhe mjete luftarake të këmbësorisë për të ndihmuar Ukrainën të përballojë një sulm të ri, si dhe për të ndihmuar Kievin të nisë një kundërofensivë.
“Jo të gjitha armatimet perëndimore do të arrijnë në kohë”, tha ministri ukrainas, Reznikov.
“Por ne jemi gati. Ne kemi krijuar burimet dhe rezervat tona, të cilat ne jemi në gjendje t'i nxjerrim në betejë dhe me të cilat do jemi në gjendje të frenojmë sulmin”.
Disa informacione për këtë raport u morën nga Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.