Lidhje

Rusët në Serbi të befasuar nga adhurimi për presidentin Putin


Rreth 200,000 rusë janë larguar nga vendi i tyre për në Serbi, që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Serbia është një aleat i ngushtë i Rusisë me të cilën ka lidhje historike, fetare dhe kulturore. Rusia mbështet pretendimin e Serbisë mbi Kosovën, por lidhja ruso-serbe është një marrëdhënie komplekse. Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës si ndëshkim për agresionin rus në Ukrainë, por gjithashtu kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Rusët që u larguan nga vendi i tyre kanë zhvilluar protesta kundër presidentit Vladimir Putin në Beograd, ndërsa vërejnë përpjekje të vazhdueshme propagandistike pro presidentit rus Putin në Serbi.

Rusët në Serbi të befasuar nga adhurimi për presidentin Putin
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:53 0:00

Në sheshin qendror në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dhjetëra rusë u mblodhën kohët e fundit për të kundërshtuar luftën e presidentit Vladimir Putin në Ukrainë, duke mbajtur fotografi të të burgosurve politikë nga atdheu i tyre.

Në anën tjetër të sheshit, një tabelë e madhe reklamon median propagandistike ruse RT, e cila ka hapur një portal lajmesh në Serbi. RT e ka të ndaluar të funksionojë në vende të tjera të Evropës. Nëpër Serbi mund të gjesh bluza ku janë vizatuar portrete heroike të presidentit Putin me gjoks të zhveshur, por edhe në suvenire dhe filxhanë kafeje, ose janë pikturuar në muret e qytetit.

Këto pamje kontradiktore pasqyrojnë marrëdhëniet komplekse dhe delikate që ekzistojnë këto ditë midis Rusisë dhe Serbisë.

Serbia është aleati më i afërt i Moskës në Evropë, me lidhje historike, fetare dhe kulturore që bëhen më të forta nga fushatat e ndikimit politik të Kremlinit. Rusia mbështet pretendimin e Serbisë mbi Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e Perëndimit. Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës si ndëshkim për agresionin në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Shumica e rusëve në Serbi kërkojnë një jetë të re në një vend vëllazëror, por pa shtypjen e Kremlinit.

Anastasia Demidova, e cila mbërriti në Beograd nga Moska para tre muajsh, thotë se njerëzit nuk e konsiderojnë si armike.

“Këtu në Beograd, ne nuk konsiderohemi si armiq dhe kjo do të thotë shumë. Kam folur me shumë serbë, ata më pyesin se çfarë po bën këtu, unë u them se ne jemi kundër Putinit dhe për një Rusi demokratike dhe natyrisht jemi kundër luftës në Ukrainë”, tha Anastasia Demidova, banore ruse në Beograd.

Rusë të tjerë thonë se u larguan për të mos u prekur nga sanksionet perëndimore, që kanë dëmtuar bizneset ose vendet e tyre të punës.

Për këtë arsye, rusishtja mund të dëgjohet të flitet kudo në Beograd, një qytet me rreth dy milionë banorë. Rusët kanë filluar të hapin restorante dhe bare. Në masë të madhe janë rritur edhe ndërmarrjet private ruse, veçanërisht në sektorin e teknologjisë informative. Fluksi i rusëve ka çuar në rritjen e çmimit të banesave.

Disa serbëve kjo u kujton valën e rusëve që ikën nga Revolucioni Bolshevik më 1917 dhe shumë nga ata që qëndruan në Serbi lanë gjurmët e tyre në kulturën dhe artin serb.

“Emigracioni bashkëkohor rus, diaspora bashkëkohore ruse në Serbi nuk e zgjodhi këtë vend, por erdhën këtu sepse është i vetmi që i pranon. Emigracioni i mëparshëm qëndroi këtu sepse donin të rrinin në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe ata që nuk donin, mund të vazhdonin për në vende të tjera”, thotë historiani Aleksej Timofejev.

Rusët që tani kanë shkuar në Serbi nuk mund të udhëtojnë për në Perëndim për shkak të sanksioneve dhe kanë nevojë për viza.

Të sapoardhurit thonë se ende mund ta ndiejnë ndikimin e egër të Kremlinit, veçanërisht kur bëhet fjalë për mendimin pozitiv që serbët kanë për presidentin rus, nëpërmjet mediave propaganduese si RT dhe Sputnik.

Aktivisti rus Petar Nikitin e quan këtë një “përpjekje të koordinuar propagandistike” që filloi për herë të parë në Serbi në fillim të viteve 2000.

“Në atë kohë, ky pëlqim për qeverinë ruse ishte më pak i rëndësishëm. Por është rritur jashtëzakonisht shumë. Rusët e ardhur rishtazi, që më parë nuk dinin shumë për Serbinë, janë krejtësisht të tronditur nga ky adhurim, veçanërisht për zotin Putin dhe për këtë imazh të Rusisë, që është plotësisht i ndarë nga realiteti”, thotë aktivisti rus, Nikitin.

Moska e fuqizon këtë ndjenjë përmes mediave pro-ruse, duke ushqyer zemërimin serb ndaj Perëndimit për shkak të Kosovës. Refuzimi i Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës ka mbështetjen e Moskës, një nga arsyet pse Beogradi mban marrëdhënie miqësore me presidentin Putin dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka kritikuar pushtimin e Ukrainës, por sa herë e bënë këtë, ai e lidh këtë çështje me Ballkanin.

“Ne mbështesim integritetin territorial të Ukrainës, siç e mbështesim integritetin territorial të Serbisë. Pra… kur më pyesin: ‘A është Krimea pjesë e Ukrainës apo e Rusisë?’ Po, është pjesë e Ukrainës. Donbasi është pjesë e Ukrainës. Ne do të jemi më besnikë ndaj integritetit territorial të vendeve anëtare të OKB-së ndryshe nga vende të tjera që ndryshuan qëndrimin e tyre për integritetin territorial të Serbisë”, tha presidenti serb Vuçi gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar.

Zyrtarët perëndimorë kanë rritur presionin ndaj zotit Vuçiç për të bërë një kthesë vendimtare duke u larguar nga Moska nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE. Ata kanë frikë se Rusia mund të shkaktojë telashe në Ballkan nëpërmjet përfaqësuesve të saj serbë për të shmangur një pjesë të vëmendjes ndërkombëtare nga Ukraina.

Kohët e fundit, grupi privat ushtarak rus “Wagner Group” publikoi reklama në mediumin rus, RT në gjuhën serbe në kërkim të rekrutimit të serbëve për të luftuar në Ukrainë. Në Serbi është e paligjshme që banorët e saj të marrin pjesë në konflikte jashtë vendit, megjithëse disa prej tyre iu bashkuan separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore pas betejave që shpërthyen atje në vitin 2014.

Aktivisti rus Nikitin i cili ka formuar një grup të quajtur Komuniteti Demokratik Rus, ka bashkuar forcat me një avokat serb për të ngritur një padi duke kërkuar hetim të grupit mercenar rus, Wagner. Kjo çoi në rritjen e kërcënimeve kundër rusëve më liberalë nga organizatat serbe të krahut të djathtë me lidhje të ngushta me Wagnerin dhe Moskën.

“Kërcënimet që marr direkt dhe në kutinë time postare janë të formuluara me mjaft kujdes, por janë mjaft të dukshme. Ato janë nga ‘largohuni nga Serbia’ deri tek ofendime shumë të turpshme që përfshijnë familjen time. Ka edhe kërcënime se së shpejti do t’iu bashkohem të vdekurve”, tha zoti Nikitin.

Ai thotë se bashkatdhetarët e tij më liberalë në Serbi janë të etur të tregojnë se nuk e mbështesin luftën e presidentit Putin ose shtypjen e grupeve opozitare në vend.

Stanislav Shenkevich, 29 vjeçar nga Shën Petërburgu, mbërriti në Beograd më 1 nëntor, pasi mbeti pa punë në Rusi. Ai tani punon si berber në qendër të Beogradit.

“Në fillim nuk kisha plane afatgjata të rrija, por pasi kaluan dy muaj e gjysmë në Beograd vendosa të qëndrojë. Gruaja ime do të arrijë së shpejti dhe ne do të qëndrojmë këtu”, tha zoti Shenkevich.

Artemi, 33-vjeçar nga Shën Petersburgu, tregoi se u largua nga Rusia me gruan e tij dhe dy kafshët shtëpiake menjëherë pas fillimit të luftës. Ai nuk pranoi të tregoi mbiemrin për arsye sigurie.

“Për mua ishte një lloj proteste, sepse nuk isha dakord fare me luftën, por nuk mund të bëj asgjë në Rusi, sepse nëse provoj të kundërshtojë, mund të përfundojë në burg”, tha Artem.

Rreth 200,000 rusë janë larguar nga atdheu i tyre për në Serbi që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG