Lidhje

Mbi 3700 të vdekur nga pasojat e tërmetit në Turqi dhe Siri


Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 3 mijë e 700 personave.

Mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa një numër i madh njerëzish kanë ngelur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Qeveri të ndryshme dhe organizata të shumta ndërkombëtare kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se ekipe amerikane kërkim-shpëtimi "po dislokohen me shpejtësi për të filluar mbështejen e operacioneve kërkimore të Turqisë dhe për të ndihmuar me nevojat e të lënduarve dhe të zhvendosurve nga tërmeti".

Presidenti Biden foli të hënën me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për t'i shprehur ngushëllimet dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë të gjithë ndihmën e nevojshme, njoftoi Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një deklarate.

John Kirby, koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, tha se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë dy ekipe prej 79 anëtarësh për operacionet e kërkim-shpëtimit në zona urbane dhe se Pentagoni dhe USAID-i po koordinohen me homologët turq për ndihma të mëtejshme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut të tij turk, Ministrit të Jashtëm Mevlut Cavusoglu, se mjafton të shprehë nëpërmjet telefonit çfarë iu nevojitet dhe se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë ç'të munden për të ndihmuar, njoftoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Tërmet i fuqishëm në Turqi dhe Siri, mijëra viktima
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Pjesa qendrore e Turqisë dhe veriperëndimi i Sirisë mëngjesin e së hënës u tronditën nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi qindra e qindra viktima dhe plagosi mijëra të tjerë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 shembi një numër të madh ndërtesash, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Ky është tërmeti më i fuqishëm që godet Turqinë në këtë shekull. Dridhjet janë ndjerë edhe në Egjipt, Qipro dhe Liban.

Epiqendra e tërmetit ishte afër Gazientepit, qytetit industrial pranë kufirit Turqi-Siri. Në qytetin Mersin një banor i tha Zërit të Amerikës se lëkundjet zgjatën rreth një minutë.

“U zgjuam nga dridhjet. Pjesë të rrënojave po binin nga oxhaku dhe hapësirat boshe të ndërtesës. Ishte shumë e frikshme”, tha ai.

Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.

“Nuk mund ta parashikojmë rritjen e numrit të viktimave dhe të plagosurve ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Shpresojmë të rikuperohemi nga kjo tragjedi me sa më pak jetë të humbura”, tha presidenti turk.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se pret që numri i viktimave të jetë shumë më i madh. Ministria e Brendshme e Turqisë tha se tërmeti u pasua me mbi 20 pasgoditje. Të paktën një nga to ishte me magnitude 7.5.

Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.

Organizata “Shoqëria Mjekësore Siriano-Amerikane” tha se spitalet janë të mbingarkuara me pacientët që kanë mbushur korridoret.

Mbështetje ndërkombëtare

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden udhëzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë federalë "të vlerësojnë mundësitë e reagimit amerikan për të ndihmuar më të prekurit".

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme, "tha zoti Sullivan në një deklaratë.

Bashkimi Evropian tha se po dërgonte ekipe shpëtimi në rajon, me njësitë nga Holanda dhe Rumania "tashmë në rrugë e sipër”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se qeveritë e tyre ishin të gatshme për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

“Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, shkroi në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe ndihma mjekësore, do të dërgohen në Turqi në përgjigje të një kërkese nga qeveria turke.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ofroi gjithashtu mbështetjen e qeverisë së tij, “Jam i tronditur me vdekjet dhe plagosjet e qindra njerëzve si pasojë e tërmetit në Turqi”, shkroi presidenti Zelenskyy. “U shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë. Në këtë kohë, ne qëndrojmë pranë popullit mik turk dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”.

Shqipëria dhe Kosova, dërgojnë njësi të kërkim-shpëtimit në Turqi

Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë nisën njësitë e kërkim shpëtimit për të ndihmuar Turqinë, për t’u përballur me pasojat e tërmetit.

“Një skuadër shqiptare prej 53 trupash të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës shëndetësore, bashkë me mjetet e nevojshme u nisën drejt Turqisë mike, në një mision solidariteti vëllazëror përkrah të gjitha skuadrave të tjera aleate, për të bashkuar forcat në përballimin e plagëve të hapura të tërmetit tragjik”, shkroi kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Edhe nga Kosova për në Turqi është nisur një njësi për operacione humanitare e Forcës së Sigurisë.

“Solidarizohemi dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk në këto kohë të vështira. Shpresojmë dhe urojmë që kjo tragjedi të kalojë me sa më pak viktima”, shkroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.

Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit.

Në tetor të vitit 2022, një tërmet me magnitudë 7.0 goditi Detin Egje duke vrarë 116 persona dhe duke plagosur mbi 1 mijë. Përveç dy viktimave, të gjithë të vdekurit ishin nga qyteti i Izmirit.

* Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG