Lidhje

Çështja McGonigal, kryeministri Rama shmang interpelancën në parlament


Seanca e parlamentit shqiptar në të cilën ishte parashikuar interpelanca me kryeministrin Edi Rama
Seanca e parlamentit shqiptar në të cilën ishte parashikuar interpelanca me kryeministrin Edi Rama

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shmangu sot një interpelancë të thirrur nga deputetë të opozitës, e cila e akuzon atë të jetë përfshirë në afera më ish zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, i vënë nën akuzë ndër të tjera dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë shqiptarë apo dhe të shteteve të tjera dhe se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare. Zoti Rama ia kishte deleguar përfaqësimin ministres për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali, duke provokuar kundërshtime të forta nga ana e opozitës e cila e konsideroi të papranueshëm veprimin e kryeministrit.

Çështja McGonigal, kryeministri Rama shmang interpelancën në parlament
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Prej afro 10 ditësh, që kur u publikua akt-akuza ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal, dhe ndër të tjera, dhe lidhjet e tij me Shqipërinë, opozita e ka kthyer këtë çështje në kalin e vet të betejës politike kundër kryeministrit.

Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë në vitin 2017 një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Po në vjeshtën e atij viti, ai realizoi disa vizita në Shqipëri, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York. Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës, për të cilin zoti Rama ka pranuar se ka punuar pranë tij për një farë kohe, pa pagesë. Ndërsa për Nezën ka deklaruar se e ka njohur gjatë takimeve me ish zyrtarin e FBI-së.

Kryeministri nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, sikundër nuk ka shpjeguar se përse fillimisht Duçka e më pas Neza, ishin angazhuar për t’i dhënë informacion ish zyrtarit të FBI-së për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare, aq më tepër që të paktën në një rast, sipas akt-akuzës, Neza “e ka marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”.

Edhe sot nuk u dha ndonjë arsye se përse në interpelancën që opozita kishte kërkuar me të, për lidhjet me ish zyrtarin e FBI-së, ai zgjodhi të mos ishte në sallë duke ia deleguar këtë ministres për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali.

Një veprim që shkaktoi reagime të ashpra të opozitës, sipas së cilës, rregullorja e parlamentit nuk e parashikon një gjë të tillë, aq më tepër që bëhej fjalë për një çështje drejtërdrejtë të lidhur me kryeministrin e jo me të tjerë. “Unë nuk po bëj interpelancë për një çështje apo veprimtari të Këshillit të Ministrave, por për një veprimtari private të kryeministrit, të kryer në mënyrë private, në restorante, bare e parkingje restorantesh. Problemi është, pse për një veprimtari kriminale të kryer personalisht nga Edi Rama, tenton të keqpërdorë një zonjë, në rastin konkret është ministre, dhe fshihet pas fustanit të saj”, u shpreh deputeti demokrat Gazmend Bardhi.

Por sipas zonjës Spiropali, opozita ka ngritur “një shtjellë të tërë gënjeshtrash, mashtrimesh e trillimesh. Nuk mund të vini këtu e të hidhni akuza penale, akuza që nuk ekzistojnë në asnjë dosje, as për kryeministrin e vendit, as për asnjë shtetas tjetër të Republikës së Shqipërisë. Përgjigjen e keni marrë e do ta merrni. Pyetja ime është e doni apo jo përgjigjen? Atëherë pranoni që ju akuzat i keni për konsum politik dhe nuk keni asnjë seriozitet për trajtimin e kësaj çështjeje”.

Ndaj ish zyrtarit të FBI-së Mc Gonigal, ka dy çështje të ndara. Në rastin kur përmendet Shqipëria, ai akuzohet se nuk ka raportuar kontaktet dhe lidhjet me zyrtarë shqiptarë apo dhe të shteteve të tjera dhe se ka marrë para nga ish-punonjësi i shërbimeve inteligjente shqiptare Neza.

Por opozita pretendon se paratë e marra nga Neza janë sipas saj, të ofruara nga kryeministri me qëllim që të godiste opozitën, për rastin e lobimit të saj përmes kompanisë amerikane të Nick Muzinit, e cila në nëntor të vitit 2017 deklaroi të kishte marrë 500 mijë dollarë për të punuar në favor të Partisë Demokratike.

Ndërsa në parlament tensioni në sallë ishte i lartë, kryeministri Edi Rama, shpërndau një postim në Twitter, duke u shprehur se “me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”. Kryeministri po ashtu hodhi poshtë pretendimet e opozitës se ka qenë ai që ka korruptuar ish zyrtarin e FBI-së duke ju referuar “drejtësisë amerikane “e cila siç nënvizoi ai, “s’ka asnjë akuzë apo pretendim të tillë”.

Kjo çështje duket se do të vijojë të mbetet temë e nxehtë. Një grup deputetësh të opozitës kanë kërkuar mocion me debat më kryeministrin, ndërsa sot u firmos prej tyre dhe kërkesa për ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor.

XS
SM
MD
LG