Lidhje

FBI nuk gjen dokumente të klasifikuara nga kontrolli në një nga shtëpitë e presidentit Biden


FBI-ja nuk gjeti dokumenta të klasifikuara gjatë një kontrolli të urdhëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në një nga shtëpitë e Presidentit Joe Biden, njoftoi avokati personal i zotit Biden, Bob Bauer.

Kontrolli u bë si pjesë e hetimit për materialet e klasifikuara, nga koha kur ai ishte nënpresident.

Zoti Bauer tha me anë të një deklarate se nga kontrolli në shtëpinë e plazhit të zotit Biden në Reheboth të shtetit Delauerë u morën disa materiale dhe shënime nga koha kur ai ishte nënpresident për një analizë të mëtejshme.

Ai kishte thënë më herët se kontrolli, ishte planifikuar dhe kryer me "mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të presidentit".

Kontrolli nga agjentët e FBI-së duket të jetë një zgjerim i hetimit për mënyrën se si veproi zoti Biden me dokumentat e klasifikuara. Materiale të tilla janë gjetur në shtëpinë e tij në Uilmington të Delauerës dhe në një zyrë që ai përdori pasi shërbeu si nënpresident gjatë administratës së presidentit Barack Obama.

Kjo çështje është bërë problematike për zotin Biden, i cili pritet të shpallë kandidaturën për t’u rizgjedhur në javët ose muajt e ardhshëm. Gjetja e dokumentave të klasifikuara i heq atij dhe demokratëve të tjerë një argument kundër ish-presidentit Donald Trump, të cilit gjithashtu iu gjetën dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago.

Zoti Trump e ka nisur fushatën presidenciale dhe mund të përballet me zotin Biden në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.

Avokati Bauer tha se Departamenti i Drejtësisë vendosi ta bënte kontrollin pa njoftim paraprak për publikun.

"Sipas procedurave standarde, në interes të sigurisë dhe integritetit operacional, Departamenti i Drejtësisë kërkoi ta bënte kontollin pa njoftim paraprak publik dhe ne ramë dakord të bashkëpunonim," tha ai.

Dokumente të klasifikuara janë gjetur edhe në shtëpinë e ish-nënpresidentit Mike Pence.

Zoti Biden është zotuar të bashkëpunojë dhe zoti Pence ka thënë se merr përgjegjësi për dokumentet e gjetura. Zoti Trump u rezistoi përpjekjeve për të kthyer materialet në zotërim të tij dhe si rezultat, FBI-ja ndërmori një kontroll në Mar-a-Lago.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka emëruar dy prokurorë të posaçëm për të shqyrtuar mënyrën e veprimit me dokumentat e klasifikuara nga zoti Trump dhe zoti Biden.

Ndërkohë sipas njoftimeve, Arkivi Kombëtar u ka kërkuar të gjithë ish-presidentëve dhe nënpresidentëve amerikane që të kontrollojnë të dhënat e tyre personale për dokumente të klasifikuara ose materiale të tjera presidenciale që duhet të ishin dorëzuar kur ata u larguan nga detyra.

Marrja ose mbajtja e materialeve të klasifikuara me vetëdije ose me dashje është e paligjshme, megjithëse asnjë president ose nënpresident aktual ose i kaluar nuk është akuzuar për keqbërje.

XS
SM
MD
LG