Ekspozita u çel në Lagos dhe artisja franceze Prune Nourry thotë se shpreson se skulpturat do t’i kujtojnë botës një tragjedi që po harrohet.
Një dhomë plot me skulptura. Secila prej tyre përfaqëson një nga vajzat që u rrëmbye nga Boko Haram në vitin 2014 në një shkollë të mesme në Chibok të Nigerisë.
Ngjarja nxiti fushatën #BringBackOurGirls në rrjetet sociale, një temë që bëri bashkë emra të njohur në gjithë botën, përfshirë ish-zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama.
Tani në një qendër aktivitetesh në Lagos, vajzat e humbura po kujtohen në ekspozitën “Edhe statujat marrin frymë”, përmes portretizimit të tyre në skulpturat e krijuara nga artistja franceze Prune Nourry, në bashkëpunim me universitetin “Obafemi Awolowo”.
Frymëzuar nga portretet antike nigeriane, skulpturat rikrijojnë fytyra, mimika dhe modele flokësh.
“Është një kujtesë mbi atë që ka ndodhur. Në Nigeri u rrëmbyen gra, djem, burra dhe fëmijë. Disa u gjetën, disa janë të shpërngulur edhe sot, të tjerë janë ende në robëri. Është një kujtesë e përhershme se ajo që ndodhi nuk ishte një ëndërr. Nigerianët duhet të kujtojnë atë që ka ndodhur”.
Dhjetra vajza u kthyen vitin e kaluar me lajmin se disa prej vajzave të rrëmbyera kishin vdekur në robëri. Lajme që zbehën edhe më shumë shpresat e familjeve që ende nuk i kanë gjetur të bijat.
Vajzat që rifituan lirinë, nuk u kthyen vetëm. Të gjitha kishin fëmijë me ekstremistët. 24 fëmijë.
Ndër vite, vajzat që u lanë të lira kanë treguar se si ekstremistët i detyruan të martoheshin.
“Këto janë vajza të reja, janë e ardhmja e tokës së Chibokut, janë e ardhmja ime si baba, janë e ardhmja për botën tonë”, thotë Yahi Bwata, babai i një vajze e cila u la e lirë e u kthye shëndoshë e mirë në shtëpi.
Artistja franceze Nourry u takua me familjet e vajzave në Chibok dhe u kërkoi fotografi të vajzave të tyre.
Artisjja krijoi 8 skulptura, frymëzuar nga portretet e vajzave, ndërsa 108 skulptura të tjera u realizuan nga studentët e universitetit “Obafemi-Awolowo”.
“Shpresoj që kur të shohin këto skuplutra njerëzit të kujtojnë rëndësinë që ka edukimi i vajzave dhe të kuptojnë se çdo skulpturë mishëron dikë. Ekspozita përcjell edhe mesazhin e bashkëpunimit, se si bashkë mund të bëjmë më shumë. Uroj që këto skulptura të prezantohen në gjithë Afrikën, por edhe më gjerë, në botë. Duhet t’i japim dritë një historie që nuk mund të harrohet”.
Artisja Nourry shpreson se skulpturat do t’i kujtojnë botë një tragjedi që po harrohet.
Një vit pas rrëmbimit të vajzave, Muhammadu Buhari, tanimë president, premtoi se nëse vinte në pushtet, do t’i shpëtonte ato.
Në dhjetor, këshilltari për sigurinë kombëtare, Babagana Monguno tha se ushtria mbetet e angazhuar për të siguruar lirinë e vajzave, por tha se është një proces që udhëhiqet nga shërbimet e fshehta, që do të thotë, se fatkeqesisht do jetë I gjatë dhe i vështirë.
Megjithatë, shumë prindër, kanë nisur të vënë në pikëpyetje vullnetin e qeverisë për lirimin e vajzave. Nga ana tjetër, komuniteti i Chibokut përjeton sulme të herëpashershme nga Boko Haram dhe fraksioni i shkëputur prej tij, që ka premtuar besnikëri ndaj grupit të Shteti Islamik.
Skulpturat janë shfaqur në Nigeri. Ekspozita do të shfaqet edhe në vende të tjera të botës.