NJU JORK, 27 janar (Reuters) - Prokurorët amerikanë kanë ngritur akuza ndaj tre anëtarëve të një organizate kriminale në Evropën Lindore, që ka lidhje me qeverinë e Iranit, se kanë komplotuar për të vrarë një gazetare dhe aktiviste, e cila është shtetase amerikane. Lajmi u njoftua të premten nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Rafat Amirov, Polad Omarov dhe Khalid Mehdiyev akuzohen se kanë tentuar të vrasin gazetaren kundrejt një shpërblimi në para si dhe për pastrim parash, pjesë e një komploti të dështuar të mbështetur nga Teherani.
Duke iu referuar personin që ishte objekt i komplotit, zoti Garland tha se “viktima kishte publikuar fakte rreth abuzimeve me të drejtat e njeriut nga qeveria iraniane, trajtimin diskriminues të grave, shtypjen e protestave demokratike si dhe burgosjet arbitrare, torturat dhe ekzekutimet”, në këtë vend.
Prokurori Garland nuk e përmendi emrin e viktimës së supozuar, por Mehdiyev u arrestua vitin e kaluar në Nju Jork pasi kishte në zotërim një armë pranë shtëpisë në Bruklin të gazetares Masih Alinejad, një kritike e njohur e ligjeve të Iranit për mbulimin e kokës, që ka publikuar video të grave që shkelin ato ligje në rrjetet e mediave sociale, e që punon për shërbimin persian të Zërit të Amerikës.
Mehdiyev u deklarua i pafajshëm për akuzën e zotërimit të një arme zjarri me një numër serie të fshirë. Ai po mbahet në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan të Bruklinit në pritje të gjykimit.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Prokurorët amerikanë në vitin 2021 akuzuan katër iranianë të dyshuar si operativë të inteligjencës për Teheranin, për komplot për të rrëmbyer një gazetare dhe aktiviste me bazë në Nju Jork. Ndërsa objektivi i komplotit nuk u tha, agjencia Reuters konfirmoi se ajo ishte gazetarja Alinejad.
Amirov u arrestua të enjten dhe do të ketë një seancë paraprake në gjykatën federale në Manhatan më vonë të premten. Omarov u arrestua në Republikën Çeke në fillim të këtij muaji dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ekstradimin e tij.
Duke reaguar ndaj zhvillimeve, zonja Alinejad tha në një video të publikuar në Twitter se nuk ka ndërmend të ndalë punën e saj dhe u bëri thirrje autoriteteve amerikane që t'i kushtojnë më shumë vëmendje situatës së njerëzve në Iran.
"Nuk frikësohem për jetën time", tha ajo. "E dija se vrasjet, varjet, torturat, përdhunimet janë në ADN-në e Republikës Islamike. Prandaj erdha në Shtetet e Bashkuara, për të ushtruar të drejtën time, lirinë time për t'u shprehur, për t'u bërë zëri i popullit kurajoz të Iranit që i thotë 'jo' Republikës Islamike".
Shtetet e Bashkuara në vitin 2011 arrestuan një person për të cilin thuhet se ishte i lidhur me një komplot iranian për të vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në Uashington në atë kohë në një restorant që ai frekuentonte në kryeqytet.
Uashingtoni akuzon Teheranin për mbështetjen e terrorizmit dhe përpjekje për ndërtimin e armëve bërthamore, akuza që Irani i mohon.