Lidhje

SHBA do të dërgojë 31 tanke "Abrams" në Ukrainë


Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se do të dërgojnë tanke në Ukrainë, hapi i parë i një përpjekje të koordinuar të Perëndimit për të siguruar armatime të rënda për të ndihmuar Kievin të thyejë bllokimet luftarake teksa shënohet muaji i 12-të i agresionit rus.

Presidenti Joe Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 31 tanke "Abrams" në Ukrainë, vendim që rrëzon këmbënguljen e vazhdueshme të Uashingtonit se trupat ukrainase e kishin të vështirë përdorimin dhe mirëmbajtjen e tankeve amerikane.

Vendimi i Uashigtonit pason vendimin e Gjermanisë për të dërguar në Ukrainë 14 tanke Leopard. Autoritetet gjermane kishin deklaruar se nuk do dërgonin tanket Leopard nëse Shtetet e Bashkuara nuk dërgonin tanket Abrams, pasi nuk donin të shkaktonin zemërimin rus pa siguruar angazhimin e njëjtë edhe nga Uashingtoni.

“Vendimi vjen si rezultat i konsultimeve të gjëra me aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë” u tha ligjvënësve gjermanë kancelari Olaf Scholz.

Presidenti Biden tha se aleatët europianë kanë rënë dakord për të dërguar 62 tanke në total. “Ndërsa afrohet pranvera, forcat ukrainase po përgatiten të mbrojnë territorin e tyre dhe për të përballuar një shtim të sulmeve. Për të çliruar vendin e tyre, këto forca duhet të jenë në gjendje t’i përgjigjen taktivave dhe strategjisë ruse në fushë betejë”, tha zoti Biden.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zeleksy u shpreh i kënaqur me lajmin. Shumë vende europiane kanë pjesë të armatimeve të tyre edhe tanket Leopard dhe njoftimi gjerman nënkupton se disa prej tyre mund t’i dërgohen Ukrainës.

“Tanket kryesore gjermane forcojnë sistemin tonë mbrojtës. Drita jeshile është që edhe partnerët të tjerë të na ndihmojnë me armatime të njëjta. Sapo u njoha me këtë vendim të rëndësishëm nga një bisedë me zotin Olaf Scholz”, shkroi zoti Zelensky në Twitter.

Sipas një njoftimit të qeverisë gjermane, kancelari Olaf Scholz, Presidenti i Shteteve të Bashkuar Joe Biden, kryeministri britanik Rishi Sunak dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, zhvilluan një bisedë telefonike ku ranë dakord për të vijuar mbëshetjen ndaj Ukrainës.

Vendimi i shumëpritur erdhi pasi zyrtarët amerikanë njoftuan të martën një marrëveshje paraprake se Shtetet e Bashkuara do të dërgonin tanke “Abrams” në Ukrainë për të ndihmuar trupat vendase të zprasin forcat ruse të cilat qëndrojnë të forta në lindje të vendit, thuajse një vit pasi Rusia sulmoi fqinjin e saj.

Zyrtarët folën në kushtet e anonimitetit pasi vendimi nuk ishte bërë ende publik.

Nuk është ende e qartë kur dhe sa tanke do të dërgohen në Ukrainë dhe sa shpejt mund të ndihen efektet e përdorimit të tyre në fushë-betejë. Analistët ushtarake janë shprehur se forcat ruse mund të jenë duke u përgatirur për sulm në pranverë.

Paketa e njoftuar të mërkurë në vlerën e 400 milionë dollarëve përfshin edhe 8 mjete M88 që mund të tërheqin tanket “Abrams” në rast se ato ngecin.

Të gjithë bashkë, Franca, Birtania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Polonia, Holanda, Gjermania dhe Suedia do të dërgojnë qindra tanke dhe mjete të rënda armatimi për të siguruar Ukrainën teksa hyn në një fazë të re të luftës.

Vendet që mbështesin Ukrainë kanë dërguar tanke në Ukrainë, por ato ishin modele sovjetike në rezervat e vendeve që dikur ishin nën ndikimin rus, por që tani janë rreshtuar në krah të Perëndimit.

Zoti Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kishin këmbënguluar se forcat ushtarake kishin nevojë për tanke moderne perëndimore.

XS
SM
MD
LG