Lidhje

Përpjekjet e udhëheqësve të Amerikës së Veriut për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara


Presidenti Joe Biden, Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador dhe Kryeministri Justin Trudeau në takimin e nivelit të lartë në Meksikë.
Presidenti Joe Biden, Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador dhe Kryeministri Justin Trudeau në takimin e nivelit të lartë në Meksikë.

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë thonë se po punojnë së bashku në trajtimin e disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet kontinenti i tyre, përfshirë emigrimin e parregullt, trafikun e drogës, marrëveshjet tregtare përballë konkurrencës kineze dhe unitetin përballë agresionit rus në Ukrainë. Por, zgjidhjet dhe pikëpamjet e udhëheqësve për këto çështje nuk janë të thjeshta.

Udhëheqësit e Meksikës, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara treguan unitet në paraqitjet e tyre në qytetin e Meksikos.

“Ne të tre jemi partnerë të vërtetë dhe jemi duke punuar së bashku me respekt të ndërsjellë për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë njerëzit tanë”, tha Presidenti Biden.

Por çështjet e diskutuara nuk janë aq të lehta.

Emigrimi i parregullt, trafiku i drogës, ndryshimi i klimës dhe mosmarrëveshjet tregtare janë në qendër të vëmendjes, siç theksoi presidenti meksikan, i cili e sfidoi hapur Presidentin Biden për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik.

“Ky është momenti që ne të vendosim për të hequr dorë nga kjo braktisje, kjo përbuzje dhe kjo harresë për Amerikën Latine dhe Karaibet, që është në kundërshtim me politikën e fqinjësisë së mirë të titanit të lirisë, ish presidentit Franklin Delano Roosevelt. Dhe kjo duhet të fillojë me ju”, tha Presidenti meksikan.

Presidenti Biden u përgjigj duke thënë:

“Shtetet e Bashkuara ofrojnë më shumë ndihmë të huaj se çdo vend tjetër dhe pothuajse sa të gjitha vendete e botës së bashku, jo vetëm për këtë rajon, por edhe në mbarë botën. Për fat të keq, përgjegjësia jonë thjesht nuk përfundon në këtë rajon. Ne jemi të angazhuar edhe në Evropën Qendrore, në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.”

Të martën, Shtetet e Bashkuara njoftuan një sërë rezultatesh, të cilat përfshinin plane për të bashkëpunuar në çështjet e zinxhirit të furnizimit dhe prodhimit të gjysmëpërçuesve; angazhime modeste për të reduktuar emetimet e gazit të metanit nga sektori i mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza dhe më shumë bashkëpunim në fushën e prodhimit të energjisë së pastër.

“Ne jemi dhe do të jemi gjithmonë më të fortë së bashku. Bota sot po përballet me shumë pasiguri me ngritjen e udhëheqësve autoritarë që po shkaktojnë paqëndrueshmëri globale dhe koston e lartë të jetesës që po rëndon mbi familjet në vendet tona. Është e rëndësishme që ne të bashkohemi si udhëheqës dhe si miq për të gjetur mënyra për t'i bërë ekonomitë tona më të forta", tha kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Emigrimi i parregullt është gjithashtu një çështje e mprehtë, veçanërisht pasi Presidenti Biden e nisi udhëtimin e tij të dielën me vizitën e tij të parë si president në pikën më të ngarkuar të hyrjes së emigrantëve në Shtetet e Bashkuara, qytetin e El Pasos.

Udhëheqësit përsëritën gjithashtu angazhimin e tyre për "emigrim të sigurt, të rregullt dhe njerëzor" nëpërmjet zgjerimit të rrugëve të emigrimit legal, një sërë masash bashkëpunuese dhe komunikimit më të mirë, si me njëri-tjetrin ashtu edhe me publikun. Ata ranë dakord gjithashtu se trafiku i paligjshëm i armëve, drogës dhe njerëzve është një kërcënim i përbashkët dhe shprehën angazhimin për të punuar së bashku në trajtimin e këtyre sfidave.

A ishte i suksesshëm ky takim i nivelit të lartë? Ekspertët thonë se kjo është një pyetje e vështirë.

“Takimet trepalëshe të nivelit të lartë rrallë sjellin njoftime të mëdha për zgjidhje të çështjeve. Duke marrë parasysh që çështjet për të cilat biseduan tre udhëheqësit janë të ndërlikuara dhe të vjetra, mendoj se nuk është për t'u habitur që nuk ka patur ndonjë njoftim të jashtëzakonshëm në komunikatën e tyre të përbashkët dhe në konferencën e tyre për shtyp. Por, fakti që ata takohen rregullisht dhe identifikojnë përparësitë që qeveritë e tyre duhet t’i trajtojnë në vitin e ardhshëm, mendoj se e bënë takimin të rëndësishëm”, thotë analisti Andrew Rudman nga Qendra Wilson.

Por, siç theksuan udhëheqësit e tre vendeve, ky është një kontinent me potencial të madh dhe sfida të mëdha. Koha do të tregojë nëse ky takim do të sjell ndryshime.

XS
SM
MD
LG