Lidhje

Autoritetet braziliane zotohen të mbrojnë demokracinë, pas sulmeve ndaj godinave qeveritare


Zyrtarët më të lartë të vendit qarkojnë Presidentin Lula da Silva në shenjë mbështetjeje pas sulmeve në godinat qeveritare (9 janar 2023)
Zyrtarët më të lartë të vendit qarkojnë Presidentin Lula da Silva në shenjë mbështetjeje pas sulmeve në godinat qeveritare (9 janar 2023)

Autoritetet braziliane u zotuan të hënën se do të mbrojnë demokracinë dhe dënuan "aktet e terrorizmit", një ditë pasi mijëra mbështetës të ish-Presidentit Jair Bolsonaro sulmuan dhe vandalizuan Kongresin e vendit, Gjykatën e Lartë dhe ndërtesën e zyrës presidenciale në kryeqytetin Brasilia.

Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva, udhëheqësit e kongresit dhe kreu i Gjykatës së Lartë lëshuan një deklaratë të hënën duke thënë se "mbrojtësit e demokracisë" në Brazil "refuzojnë aktet e terrorizmit, vandalizmit, krimit dhe tentativës për grusht shteti" dhe "janë të bashkuar për të ndërmarrë veprime institucionale, sipas ligjit brazilian".

Presidenti Lula vizitoi ndërtesat e dëmtuara rëndë të dielën vonë dhe dekretoi një ndërhyrje federale të sigurisë në distriktin federal të qytetit. Dekreti i jep qeverisë kompetenca të veçanta për të rivendosur rendin dhe ligjin në kryeqytet dhe zgjat deri më 31 janar.

Zyrtarët brazilianë thonë se kanë arrestuar më shumë se 1200 mbështetës të zotit Bolsonaro, ish-udhëheqësit të së djathtës së largët që humbi ngushtë zgjedhjet e tetorit nga kandidati i majtë Lula.

Autoritetet braziliane arrestojnë qindra protestues
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Autoritetet braziliane thanë se synojnë të mbajnë përgjegjës protestuesit dhe do të inspektojnë objektet shtetërore për gjurmët e gishtërinjve. Presidenti i ri Lula da Silva i dënoi ashpër protestat.

“Fashistët fanatikë bënë diçka që nuk ishte bërë kurrë në historinë e këtij vendi. Është e rëndësishme të mbani mend se të majtës në Brazil i janë torturuar njerëzit, i janë vrarë njerëzit, i janë zhdukur, por kurrë nuk keni parë dikë nga e majta të pushtojë parlamentin, Gjykatën e Lartë, Pallatin presidencial”, tha gjatë një konference me gazetarë presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.

Presidenti brazilian tha se qeveria do të kërkojë gjithashtu të zbulojë se kush ka paguar për qindra autobusët që transportuan protestuesit në kryeqytet, Brasilia.

“Ne do të zbulojmë se cilët janë financuesit e këtyre vandalëve që erdhën në Brasilia. Ne do të gjejmë financuesit dhe të gjithë do ta paguajnë me forcën e ligjit këtë gjest të papërgjegjshëm, jodemokratik, këtë gjest vandalësh dhe fashistësh”, tha më tej presidenti i Brazilit.

Mbështetësit e ish presidentit Bolsonaros duan që ai të rikthehet në detyrë dhe kanë bërë thirrje që ushtria të bëjë grusht shteti pasi humbi zgjedhjet e fundit presidenciale.

Zoti Balsonaro u largua nga Brazili dhe nuk pranoi të merrte pjesë në ceremoninë e ndërimit të pushtetit dhe inaugurimit të Presidentit Lula de Silva. Ai aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara, në Orlando të Floridës.

Sulmi në ndërtesat e qeverisë braziliane është i ngjashëm me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së, në Uashington. Megjithatë, ndryshe nga Uashingtoni, ku ligjvënësit ishin brenda ndërtesës më 6 janar, objektet shtetërore në Brasilia, ishin kryesisht bosh.

Mbështetësit e ish presidentit brazilian, Bolsonaro pushtojnë Kongresin, rrethojnë pallatin presidencial
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Biden, dënoi përmes një postimi në Twitter, “përpjekjet për të minuar demokracinë në Brazil”, siç u shpreh ai.

Kjo ngjarje është dënuar edhe nga udhëheqës të tjerë, si presidenti i Meksikës dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili tha se sulmi i së dieles “është sulm ndaj demokracisë që nuk duhet toleruar”.

Ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International” kanë kërkuar hetimin e sulmit që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe një gjë e tillë të mos përsëritet më.

XS
SM
MD
LG