Ministria serbe e Mbrojtjes tha të premten në mbrëmje se mori përgjigjen nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ndaj kërkesës për vendosjen e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, por nuk dha më shumë hollësi.
Përgjigjja është marrë në vendkalimin kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në Merdar, thuhet në një njoftim të shkurtër në të cilin theksohet se dokumenti i është dorëzuar kabinetit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
KFOR-i tha Zërit të Amerikës se përgjigja është dorëzuar por “nuk hyjmë në hollësitë e korrespondencës së NATO-s. KFOR-i mbetet syçelë dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të dhënë nga OKB-ja”, thuhet në përgjigje.
Me 16 dhjetor forcat e KFOR-it thanë se pranuan një letër nga Serbia, e cila kërkon kthimin e deri një mijë pjesëtarëve të ë forcave të saj të sigurisë në Kosovë.
“Aktualisht letra është duke u shqyrtuar”, thanë me 16 dhjetor zyrtarë të KFOR-it, por pa dhënë asnjë hollësi.
Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.
Kosova në atë kohë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia. Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës, të cilat nuk dhanë të premten hollësi rreth përgjigjes ndaj kërkesës serbe që pasoi tensionet e fundit në veriun e Kosovës, ku për rreth tri javë ne radhë grupe qytetarësh serbë mbajtën të të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Bllokadat u larguan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha që më parë se Shtetet e Bashkuara refuzojnë kthimin e forcave serbe të sigurisë duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”.
Nga diplomatët evropianë ishte ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila e cilësoi kërkesën serbe plotësisht të papranueshme.
Kërkesa e Beogradit, nga autoritetet në Kosovës është cilësuar si një kërcënim me agresion.
Një pjesë e opozitës në Serbi tha se një kërkesë e tillë është e parealizueshme dhe po përdoret për nevoja të brendshme të pushtetit serb.