Lidhje

Presidenti Biden njofton masa të reja kundër emigracionit të paligjshëm në SHBA


Presidenti Biden duke folur nga Shtëpia e Bardhë
Presidenti Biden duke folur nga Shtëpia e Bardhë

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të enjten masa kundër emigrantëve që përpiqen të hyjnë pa autorizim në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet Meksikës, ndërkohë që do të ofrohet mundësia për hyrje të ligjshme për deri në 30 mijë persona në muaj nga Venezuela, Nikaragua, Kuba dhe Haiti.

Këto masa do ta bëjnë më të lehtë për autoritetet kufitare që të dëbojnë me shpejtësi emigrantët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në zonat midis pikave kufitare, si dhe do të risjellin në fuqi marrëveshjet dypalëshe ku azilkërkuesit e mundshëm që kalojnë përmes një vendi të tretë, duhet të provojnë se nuk iu dhanë mbrojtjet e duhura në atë vend përpara se të kërkojnë azil në kufirin SHBA-Meksikë.

Megjithatë, individëve nga katër vendet e lartpërmendura do t’u lejohet të aplikojnë për hyrje të ligjshme në Shtetet e Bashkuara, bazuar në autorizimin për falje humanitare, i cili po ushtrohet aktualisht për të pranuar në SHBA disa refugjatë nga Afganistani dhe Ukraina.

Zyrtarët e administratës Biden e kanë paraqitur këtë plan si një rrugë ligjore për t’u lejuar emigrantëve që të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara në një mënyrë të rregullt dhe të sigurtë. Por aktivistët e emigracionit janë kundërpërgjigjur se këto politika kufizojnë në mënyrë të padrejtë mbrojtjet për azilin të garantuara në ligjin amerikan dhe atë ndërkombëtar.

Emigrantët duke u mbledhur në pjesën meksikane të kufirit në El Paso, Teksas
Emigrantët duke u mbledhur në pjesën meksikane të kufirit në El Paso, Teksas

Gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden tha se masa për falje humanitare do t’u lejojë emigrantëve nga Nikaragua, Kuba dhe Haiti, që kanë sponsorë financiarë me rezidencë në SHBA, të hyjnë ligjërisht në vend nëpërmjet një programi që u hartua sipas programeve për faljen e venezuelasve dhe ukrainasve. Këto programe u lejojnë emigrantëve të udhëtojnë në rrugë ajrore për në Shtetet e Bashkuara, nëse kanë një sponsor dhe nëse kalojnë kontrollet e historikut.

“Vetëm këto masa që po njoftoj sot nuk do ta ndreqin sistemin tonë të emigracionit, por mund të ndihmojnë shumë... Unë mundem të veproj vetëm aty ku kam kapacitetin ligjor për të vepruar kështu”, tha Presidenti Biden.

Sipas autorizimit për falje humanitare, aplikantëve që miratohen u lejohet të jetojnë dhe të punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara me baza të përkohshme.

XS
SM
MD
LG