Lidhje

Shqipëri: Gjykata e Lartë ul ndjeshëm numrin e çështjeve të bartura


Gjykata e Lartë bëri të ditur se gjatë këtij viti ka ulur ndjeshëm numrin e proceseve gjyqësore të mbledhura në vite.

Kryetari i Gjykatës, Sokol Sadushi, deklaroi sot se këtë vit u krijua besimi që gjyqësori u ringrit dhe po funksionon.

Gjykata ka tashmë 15 gjyqtarë, të cilët po plotësojnë mungesat dhe vitin e ri pret edhe 3 gjyqtarë të tjerë.

Ai tha se ulja e numrit tepër të lartë të çështjeve të prapambetura ishte dhe vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të trupës së gjyqtarëve.

Të dhënat tregojnë se aktualisht numri i çështjeve të prapambetura është 29 mijë e 10 dosje nga 36 mijë çështje që prisnin për tu gjykuar në mars të vitit 2020, ndërsa janë marrë 11 mijë e 764 vendime.

Zoti Sadushi theksoi se këtë vit numri i vendimeve që dalin nga Gjykata e Lartë është (6 mijë e 179) tre herë më i lartë se sa çështjet që hyjnë rishtas (2 mijë e 82), duke ulur ndjeshëm numrin e çështjeve që presin për gjykim.

Secili gjyqtar ka marrë 412 vendime këtë vit, kundrejt 256 vendime për gjyqtar, që jepeshin para 5 vjetëve, duke dëshmuar një performancë të lartë, mbi 270 për qind, në zhvendosjen e çështjeve.

“Reformimi i drejtësisë ia vlejti dhe është e dukshme se drejtësia po bëhet. Reformimi i drejtësisë solli funksionimin e saj, duke filluar me parandalimin, edukimin, hetimin e shkeljeve, ndëshkimin deri në dhënien e vendimit gjyqësor”, theksoi zoti Sadushi.

Gjykata e Lartë është drejt zgjidhjes së plotë të shqetësimit mbi numrin e lartë të rekurseve, pjesa dërrmuese e të cilave, rreth 80 për qind, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë.

Institucionet publike tërhoqën sivjet 1 mijë e 893 rekurse, ndërsa deri tani janë dhënë 993 vendime për heqje dorë nga rekursi. “Kjo prirje mund të parandalojë krijimin e një stoku të ri”, tha zoti Sadushi.

Institucionet publike kanë humbur gjyqet këtë vit në 2 mijë e 355 çështje administrative e civile (ose 76% të rasteve), ndërsa individët humbën 728 gjyqe (ose 24 për qind të çështjeve).

XS
SM
MD
LG