Banorët e lagjes “East Village”, në qytetin e Nju Jorkut, e njohur si “Ukraina e Vogël”, si dhe anëtarët e komunitetit lokal ukrainas-amerikan, kanë bërë gjithçka që munden për të ndihmuar refugjatët nga vendi i shkatërruar nga lufta që kanë arritur në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Evgenz Maslov sjell materialin në vijim.
Organizata jo qeveritare “Razom”, që do të thotë “së bashku” në gjuhën ukrainase, po ndihmon refugjatët që kanë mbërritur së fundmi në Nju Jork me ushqime, rroba dimri dhe pajisje higjenike.
“Ne po e organizojmë këtë aktivitet për të mbështetur ukrainasit që kanë ardhur në Nju Jork për shkak të luftës. Shumë prej tyre erdhën me pak gjëra, dhe ne po përpiqemi t'i ndihmojmë sa më shumë që të mundemi”, thotë Mariia Khorun, vullnetare e organizatës, “Razom”.
Denys dhe Olha erdhën në Nju Jork nga qyteti Ivano-Frankivsk në tetor. Atyre iu duhen rroba dimri për të gjithë familjen, ndërsa qyteti përballet me sezonin e ftohtë.
“Njerëzit na ndihmojnë shumë. Të gjithë na trajtojnë ngrohtësisht. Nuk prisnim që të ofronin kaq shumë përkrahje! Jemi shumë mirënjohës”, thotë refugjatja ukrainase, Olha.
“Është pak e vështirë, por ne po ia dalim. Ne do të jetojmë këtu momentalisht, por pas luftës, do të kthehemi në shtëpi” , thotë Denys, refugjat nga Ukraina.
“Razom” ofron ndihmë ligjore për refugjatët. Ata mund të ndjekin edhe kurse falas të anglishtes në Bibliotekën Publike të Nju Jorkut.
“Të gjithë kanë nevojë për gjëra të ndryshme, por kryesisht janë higjiena dhe ushqime për Krishtlindje, sepse është sezoni i festave dhe ata duan të kenë gjëra në shtëpitë e tyre. Dhe palltot, padyshim, sepse tani është shumë ftohtë”, thotë Tama Syby, nga organizata “Razom”.
Që nga fillimi i luftës, organizata “Razom” ka dërguar ndihma në Ukrainë. Por, sfida tani, ndërsa gjithnjë e më shumë refugjatë vijnë në SHBA, është gjetja e mënyrave për t'i ndihmuar ata gjithashtu.
“Ne ishim me fat që morëm një dhurim nga bashkia e Nju Jorkut për të ndihmuar ukrainasit e zhvendosur. Kjo është një nga mënyrat se si ne komunikojmë me komunitetin dhe mirëpresim ukrainasit e sapoardhur, u ofrojmë atyre shërbime të ndryshme dhe ndihma”, thotë Marina Prikhodko nga organizata “Razom”.
Për shumë njerëz që ikin nga lufta, Nju Jorku është ndalesa e parë.
Nevoja për të gjetur punë mund t'i çojë ata në të gjithë SHBA-në.
Por tani për tani, Nju Jorku është shtëpia e re dhe grupet e bamirësisë këtu shpresojnë ta bëjnë sezonin e festave një pikë të ndritshme për refugjatët që kanë kaluar një vit të vështirë.