Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë thanë të hënën se janë duke hetuar një incident me të shtëna me armë zjarri afër një patrulle të KFOR-it në komunën e Zubin Potokut në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, ku që nga dhjetë dhjetori rrugët po mbahen të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë.
Në një komunikatë të misionit të KFOR-it thuhet se nuk pati të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për ndriçimin e të gjitha fakteve.
“Meqë janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se KFOR-i pret “që të gjithë të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve”.
Nuk janë dhënë hollësi rreth planeve për takime të përmendura nga KFOR-i por situata në veri ishte temë diskutimi në një takim me dyer të mbyllura të qeverisë së Kosovës me komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës thuhet se në takim është diskutuar për “veprimet e strukturave kriminale në veri të Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend dhe se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
Sipas qeverisë, gjatë takimit është arritur pajtimi për “vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që është qëllim dhe përparësi e përbashkët e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare".
Qeveria e Kosovës në disa raste i ka kërkuar KFOR-it, heqjen e bllokadave, ndërsa misioni i drejtuar nga NATO-ja tha se preferon që kjo të ndodhë në rrugë paqësore.
Thirrje për largimin e barrikadave u bë edhe të hënën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës. Në një komunikatë pas mbledhjes së këtij këshilli thuhet se autoritetet në Kosovë kanë “të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të larguar barrikadat në veriun e vendit", por janë në pritje të veprimeve nga ana e forcave të KFOR-it”.
Në komunikatë theksohet se “strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”. Qeveria dhe institucionet e Kosovës, thuhet më tej, "nuk mund të dialogojnë me banda kriminale".
Autoritetet në Kosovë akuzojnë zyrtarët në Beograd për mbështetje të siç thonë grupeve kriminale në veriun e Kosovës të cilët po mbajnë rrugët e bllokuara.
Autoritetet serbe ndërkaq akuzojnë Prishtinën zyrtare për fushatë kundër serbëve lokal dhe heqja e bllokadave kushtëzohet me lirimin e një ish polici serb i arrestuar nën dyshimet për sulm, dhe largimin e njësive të posaçme të policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
Sulm ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës
Policia e Kosovës njoftoi sot se në fshatin Zupç të Zubin Potokut, persona të maskuar sulmuan ekipin e gazetarëve të televizionit Klan Kosova. Dy nga pjesëtarët e ekipit kërkuan ndihmë mjekësore pasi makina e tyre u qëllua me gurë.
Asociacioni i gazetarëve të Kosovës, tha se sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri ndërsa u bëri thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar.
Sulmi u dënua nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili në rrjetet sociale shkroi se “mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime dhune dhe frikësimi. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është themeli i demokracisë”, shkroi ai.
Zyra e Bashkimit Evropian i cilësoi të papranueshme sulmet ndaj medias në veriun e Kosovës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë tha se “ky është sulmi i katërt që nga fillimi i dhjetorit ndaj profesionistëve të mediave që raportojnë për ngjarjet në veriun e Kosovës. Këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në reagimin e OSBE-së duke nënvizuar se siguria e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre profesionale duhet të mbrohet në çdo kohë.