Lidhje

Kosovë, dënohet një person për përfshirje në terrorizëm


Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtor dhe dënoi me heqje lirie një person, me akuza të lidhura me terrorizmin, më konkretisht për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

I dënuari H.S. u dënua me katër vjet e tetë muaj heqje lirie, vetëm gjashtë muaj pasi ishte rikthyer në Kosovë.

Sipas gjykatës, “i akuzuari me datë 23.11.2015, së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur përmes aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë kishte udhëtuar për në qytetin e Stambollit të Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara kishte depërtuar në Siri, me qëllim që ti bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”.

Në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se i dënuari H.S. “është angazhuar si pjesëtar i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 dollarë amerikanë në muaj, duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të “ISIS-it”, si Lavdrim Muhaxheri etj, e që më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane”, thuhet në komunikatë.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit Kosova është përballur me raste të shumta të radikalizmit dhe disa qindra qytetarë të saj ishin bërë pjesë e organizatave ekstremiste në luftën e Sirisë.

Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer ndër vite nga Siria.

Autoritetet në Kosovë besojnë se rreth 90 persona ndodhen ende në Siri, mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë.

XS
SM
MD
LG