Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj pesë personave nën dyshimet për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, “A.Gj., E.S., N.S dhe M.B., gjatë periudhës kohore nga muaji mars 2021 e deri më 10.10.2021, fillimisht kanë bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një person me gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS – Zyra për Marrëdhënie me jashtë, janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojeve të ndryshme”.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se të pandehurit E.S dhe A.Gj., kanë siguruar dhe mbajtur në kontroll duke i fshehë dhe groposur në bure plastike e të izoluara mirë arsenal të armëve të zjarrta dhe municion të llojeve të ndryshme”.
Po ashtu A.Gj., sipas prokurorisë akuzohet edhe për veprën penale ‘’mos lajmërim i përgatitjes së veprave penale’’ për shkak se “ka qenë në dijeni se i pandehuri (tash i ndjeri) K.F, ishte duke përgatitur akte terroriste në Vjenë të Austrisë”.
Sipas prokurorisë të akuzuarit akuzohen edhe për veprat penale lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit, për ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej.
Autoritetet në Kosovës besojnë se rreth 90 veta ndodhen ende në Siri, mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë.