Lidhje

Komisioni i 6 janarit, katër rekomandime për akuza penale ndaj ish-presidentit Trump


Për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, Kongresi rekomandon ngritjen e akuzave penale ndaj një ish-presidenti. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson, komisioni që hetoi sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol i kërkoi Departamentit të Drejtësisë ngritjen e katër akuzave penale kundër Donald Trumpit, duke përfshirë atë për ndihmë dhe nxitje të rebelimit.

Komisioni i 6 janarit, katër rekomandime për akuza penale ndaj Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Hetimet mbi sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol, të cilat zgjatën një vit e gjysmë, përfunduan të hënën pas 10 seancave dëgjimore publike dhe intervistave me më shumë se një mijë dëshmitarë.

“Nëse duam të jemi një vend i shtetit ligjor dhe demokracisë, kjo nuk duhet të përsëritetmë”, tha ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.

Komisioni i përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë bëri një rekomandim historik për rolin e ish-presidentit Donald Trump në sulm.

“6 janari i vitit 2021 shënon herën e parë që një president amerikan refuzon detyrimin kushtetues për transferim paqësor të pushtetit”, tha ligjvënësja republikane Liz Cheney.

Komisioni nuk ka kompetenca të ngrejë akuza penale, por ai i rekomandoi Departamentit të Drejtësisë ngritjen e katër akuzave kundër zotit Trump.

“Komisioni beson se ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e akuzave ndaj ish-Presidentit Trump, për ndihmë dhe nxitje të sulmit të dhunshëm në Kapitol”, tha ligjvënësi demokrat Jamie Raskin.

Ligjvënësit thanë gjithashtu se zoti Trump duhet të akuzohet për pengimin e hetimeve, komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe komplot për përhapjen e pretendimeve të rreme; kjo e fundit ka të bëjë me emërimin e elektorëve të rremë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

“E kuptojmë peshën e çdo rekomandimi që po bëjmë sot, sikur i kuptojmë edhe përmasat e krimit kundër demokracisë, siç thuhet në raportin tonë. Ne ndoqëm faktet dhe ligjin dhe ato në mënyrë të pashmangshme na çuan këtu”, theksoi zoti Raskin.

Komisioni rekomandoi ngritjen e akuzave penale edhe ndaj avokatit të zotit Trump, John Eastman, si dhe rekomandoi hetime për shkelje etike të kryetarit të pritshëm të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy dhe tre anëtarëve të tjerë republikanë të Kongresit.

Zoti Trump e ka kritikuar punën e komisionit, duke e quajtur të padrejtë dhe të pabalancuar – por shumica e dëshmive erdhën nga vetë ndihmësit e tij.

“Nëse prensidenti do të donte të bënte një deklaratë duke iu drejtuar popullit amerikan, ai mund të dilte në kamera pothuajase menjëherë”, tha Sarah Matthews, ish-zëvendës sekretare e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Raporti përfundimtar mbi hetimin e komisionit për sulmin ndaj ndërtesës së Kongresit do të publikohet këtë të mërkurë.

XS
SM
MD
LG