Ligjvënësit amerikanë përballen këtë javë me një afat të ngutshëm për të miratuar një projektligj masiv për financimin e qeverisë federale deri shtatorin e ardhshëm. Përmasat dhe zërat e buxhetit ushtarak amerikan dhe një raund i ri ndihme për konfliktin në Ukrainë janë gjithashtu ndër pikat që po negociohen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton nga Kongresi.
Shtëpia e Bardhë po shqyrton dërgimin e sistemeve të raketave Patriot në Ukrainë për të luftuar agresionin rus, një nga çështjet kritike që kërkojnë zgjidhje këtë fund viti; Ambasadorja ukrainase në Shtetet e Bashkuara tha se mbështetja është jetike.
“Rusia ka ndërmarr një sulm masiv mbi infrastrukturën civile; 50% e energjisë shkatërrohet nga bombardimet. Ne duhet ta ndalojmë këtë dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është rritja e mbrojtjes ajrore kudo në Ukrainë”, tha ambasadorja për programin This Week në kanalin ABC.
Ligjvënësit amerikanë po nxitojnë gjithashtu për të përfunduar deri në fund të vitit një paketë ligjore që financon qeverinë për vitin aktual fiskal. Por ata nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për reformën e imigracionit ndërkohë që urdhëri ekzekutiv i kohës së COVID-it, që kufizon imigracionin, skadon të mërkurën.
Vendimi duhet të zgjatet derisa të bëjmë një reformë reale të sistemit të imigracionit", tha senatori demokrat Joe Manchin.
Republikanët paralajmërojnë se heqja e kufizimeve të imigracionit mund të shkaktojë një krizë në kufi. Një ligjvënës nga Teksasi tha në programin "Face the Nation" të kanalit CBS se situata është e nderë.
“Është një stuhi emigrantësh dhe të gjithë janë të prekur”, tha ligjvënësi republikan Tony Gonzalez.
Gjithashtu komisioni që po heton sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kongresin amerikan do të publikojë raportin e tij përfundimtar këtë javë. Anëtari i komisionit Adam Schiff tha për kanalin CNN se pritet të ngrihen aktakuza.
“Mendoj se ka prova se Donald Trumpi ka kryer vepra penale në lidhje me përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet. Duke e parë çështjen si një ish-prokuror, mendoj se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuza ndaj presidentit”.
Kongresit i kanë mbetur vetëm pesë ditë pune këtë vit. Në janar, një Kongres i ri do të betohet - me republikanët që do të marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.