Një grup fotografësh nga rajoni i Ballkanit kanë çelur në Shkodër një ekspozitë me fotot e shpendëve dhe kafshëve të botës së egër, qe rrezikohen nga veprimtaria njerëzore dhe ndikimet e ngrohjes globale në këtë rajon. Sipas ekspertëve të mjedisit, në Shqipëri janë rreth 80-90 lloje shpendësh që përfshihen në listën e kuqe, si tepër të rrezikuara. Urbanizimi i tepërt në zonat e mbrojtura, thonë ata, po rrezikon botën e egër të kafshëve dhe shpendëve në Shqipëri, Kosove dhe Rajon.
Ekspozita e fotografëve nga vendet e Ballkanit perendimor pasqyron përpjekjet e tyre për të evidentuar shpendët dhe kafshët e botës së egër që po rrezikohen nga veprimtaria e njeriut si dhe efektet e ngrohjes globale. Fotografi Jetmir Troshani thotë se fotot e paraqitura nga fotografët e rajonit dëshmojnë nevojën e një vëmendje më të madhe ndaj mjedisit dhe ekosistemit natyror.
“Është një ekspozitë nga 30 fotografë. Promovojmë habitatet ballkanike nëpërmjet fotografisë së botës së egër. Habitatet natyrore bashkë me speciet janë pjesë e natyrës ku ne bëjmë pjesë dhe kujdesi për ta do të thotë të kemi kujdes për veten. Ne do të mbrojmë natyrën duke mbrojtur veten dhe duke kriju një ekosistem të shëndetshëm”.
Pjesëmarrës në një numër ekspeditash, fotografët e botës së egër sjellin dëshmi të rrezikut që po i kanoset një numër speciesh të rralla si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Fotografi nga Kosova, Granit Hyseni, thotë se rrezikimi i botës së egër të kafshëve dhe shpendëve është një problem global, por ndryshe nga Kosova dhe Shqipëria ata e kanë zgjidhur këtë shqetësim përmes legjislacionit që mbron botën e egër.
“Tek ne në Kosovë macja e egër, siç njihet, aktualisht është vetëm një. Ka pasur më shumë dhe vonë është dokumentu se një është gjetur e ngordhur, por ka rezultu që ka qenë e vrame. Kjo është pasojë e gjuetisë, sepse një specie, që ndërkombëtarisht është e njohur si specie në zhdukje, po vritet”.
Bioligia Aurora Piroviq prej vitesh është bërë një eksploruese e vëmendshme e Liqenit të Shkodrës, që është edhe më i madhi në Ballkan. Ajo thotë se një pjesë e madhe e shpendëve të liqenit janë të rrezikuara .
“Në Liqenin e Shkodrës përfshihen rreth 270 lloje shpendësh, ndër to rreth 123 janë të rrezikuara. Pra është një numër i konsiderueshëm. Kjo ndodh kryesisht përmes peshkimit të paligjshëm”.
Sipas studiuesit Taulant Bino, i cili drejton shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë, ka një listë të kuqe, ku përfshihen rreth 80-90 lloje të shpendëve që janë tepër të rrezikuara. Kjo situatë, sipas tij, vjen kryesisht për shkak të urbanizimit masiv, që vitet e fundit po shfaqet në të gjithë bregdetin e Shqipërisë.
“Kryesisht lidhet me humbjen dhe degradimin e habitateve, kur një ligatinë thahet dhe kthehet në zonë ndërtimi. Ndërsa degradim mund të kemi edhe nga djegia e një
sipërfaqe që përshkohet nga zjarri ose mund të pritet. Po, të dyja këto janë faktorët qe ndikojnë më së shumti në përkeqësimin e gjendjes së shpendëve. Por të gjitha këto janë të lidhura në përgjithësi me urbanizimin masiv që, kohët e fundit, po shfaqet në zonën bregdetare të Shqipërisë”.
Ndërtimet në zonat e mbrojtura, siç është hidrocentrali i Valbonës, apo aeroporti i Vlorës, sipas ekspertëve të mjedisit kanë ndikim të madh në botën e egër. Kjo ka nxitur dy organizata mjedisore që, në muajin nëntor, të padisin qeverinë në gjykatën administrative për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, i cili, sipas tyre, ndodh në një ndër ligatinat më të rëndësishme dhe me biodiversitet të lartë, atë Vjosë-Nartë, dhe korridorit të Adriatikut, që shërben si një prej rrugëve më të rëndësishme për shtegtimin shpendëve.