Të enjten Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin vendimin për dërgimin e sistemit të avancuar të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë. Nga 24 shkurt, kur Rusia sulmoi fqinjin e saj, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi 19 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën. Kjo është një mesatare prej rreth 2 miliardë dollarësh në muaj për furnizime me armë, municione, trajnime dhe nevoja të tjera të mbrojtjes ukrainase. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb u hedh një vështrim armëve më të efektshme në fushën e betejës, që janë ende të nevojshme sipas ekspertëve dhe pritshmërive në të ardhmen.
Bejeta për Ukrainën është kthyer në një përballje vdekjeprurëse me artileri të rëndë, me dhjetëra mijëra predha të hedhura nga të dyja palët çdo javë.
“Ishin sistemet e artilerisë ato që në shumë raste përcaktuan sukseset e ushtarëve ukrainas”, thotë Samuel Bendett nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane.
Analistë dhe ish-zyrtarë thonë se sistemet më efektive që Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar Ukrainës janë sistemet e topave M777 të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe sistemi preciz i raketave HIMARS.
“Qindra foshnje të lindura në Ukrainë janë pagëzuar me emrin Himars, për shkak të rolit të këtij sistemi. Suksesi vjen për shkak të precizionit të lartë dhe rrezes së gjatë të veprimit”, thotë gjenerali në pension Ben Hodges, ish Komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë.
Zyrtarët e mbrojtjes i thanë Zërit të Amerikës se deri më sot Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar 20 sisteme HIMARS.
Shtetet e Bashkuara i siguruan Ukrainës edhe raketa GMLRS, të përshtatshme për sistemin HIMARS, të cilat kanë një rreze veprimi prej rreth 90 kilometrash.
“Është mirë por jo mjaftueshëm. Raketa tjetër ATACMS që lëshohet po ashtu nga sistemi HIMARS do të mundësonte një rreze veprimi prej 300 kilometrash. Me këto raketa ukrainasit do të mund të godisnin Sevastopolin dhe pika të tjera kritike brenda Krimesë”, thotë zotë Hodges.
Ndërsa Rusia përmirësoi kapacitetet e saj kundër dronëve në fushën e betejës, Ukraina përdori dronët amerikan “Switchblade” dhe “Phoenix Ghost”, si dhe dronët e prodhuar në Turqi “Bayraktar” për vëzhgim dhe zbulim.
“Ukrainasit e kanë çuar në një tjetër nivel lidhjen e dronëve taktikë me forcat tokësore. Janë shumë të përshtatshëm. Shumë njësi përdorin këta dronë taktikë para sulmeve me rreze të gjatë veprimi, për të kuptuar më mirë gjendjen. Në shumë raste janë më të informuar për pozicionet ruse dhe mund të reagojnë shumë më shpejt”, thotë eksperti Bendett.
Por Rusia ka dronë të prodhuar nga aleati i saj Irani. Sipas Pentagonit, Rusia ka përdorur qindra dronë iranianë për të sulmuar infrastrukturën jetike në Ukrainë.
Për rrëzimin e tyre forcat ukrainase përdorin sistemin amerikan të raketave “Stingers” – që mund të barten lehtë në sup, me një rreze prej rreth pesë kilometrash.
Analistët thonë se forcat ukrainase kanë arritur të rrëzojnë 60 deri në 85 për qind të dronëve rusë të prodhuar nga Irani.
Muajin e kaluar Pentagoni i dhuroi Ukrainës dy sisteme të avancuara kundërajrore “NASAMS” – të cilat mund të vënë në shënjestër dronët, avionët dhe raketat që lëshohen nga deti.
“Me sa kam parë këto sisteme kanë shkallë të lartë suksesi. Po bëjnë punë shumë të mirë duke mbrojtur qytetet kryesore”, thotë eksperti i sigurisë Mark Montgomery.
Por Ukraina ende përballet me vështirësi nga sulmet ruse me raketat balistike “Iskander”, të cilat godasin thellë brenda territorit ukrainas.
Zyrtarët i thonë Zërit të Amerikës se zgjidhja e Pentagonit do të jetë dërgimi i raketave “Patriot” në Ukrainë.
Por ushtaraku në pension Mark Montgomery paralajmëron se Shtetet e Bashkuara duhet të stërvisin për të paktën gjashtë muaj deri në një vit ushtarët ukrainas, para se ata të fillojnë të përdorin këtë sistem të ndërlikuar dhe të kushtueshëm.
“Çdo raketë e lëshuar nga sistemi Patriot kushton 3 deri 4 milionë dollarë. Është një sistem shumë i shtrenjtë. Do të shpenzonte shumë nga ndihmat e parashikuara për Ukrainën”, thotë ai.
Analistët pajtohen se armët që Shtetet e Bashkuara dhe NATO i kanë dhuruar Kievit janë jetike që Ukraina të mbrojë territorin e saj. Ish-komandanti i Ushtrisë Amerikane në Evropë bënë një parashikim të guximshëm.
“Nëse vazhdojmë të bëjmë atë që po bëjmë tani, mendoj se Ukraina është në rrugën e duhur për të çliruar Krimenë deri në fund të gushtit”, thotë gjenerali në pension Ben Hodges.
Gadishulli i Krimesë – i aneksuar në mënyrë të jashtëligjshme nga Rusia në vitin 2014 – shërben si bazë e luftëtarëve rusë në Ukrainë.
Çlirimi i tij do të ishte një goditje e rëndë për Moskën.