Lidhje

Twitter shpërndan grupin këshillues për besimin dhe sigurinë


Kompania Twitter, në pronësi të miliarderit Elon Musk, ka nxjerrë jashtë funksionimi Këshillin për Sigurinë dhe Besimin, një grup konsulent i përbërë nga rreth 100 organizata të pavarura civile dhe të të drejtave të njeriut.

Rrjeti Twitter e pati formuar këtë grup këshillues në vitin 2016 për të trajtuar gjuhën e urrejtjes, shfrytëzimin e fëmijëve, vetëvrasjet dhe probleme të tjera në platformën sociale.

Këshilli ishte planifikuar të takohej me përfaqësuesit e firmës Twitter mbrëmjen e së hënës. Por kompania Twitter e informoi grupin përmes një emaili se po e shpërndante atë pak përpara se të mbahej takimi, sipas disa anëtarëve.

Anëtarët e këshillit, të cilët ofruan imazhe të emailit për agjencinë e lajmeve Associated Press, folën në kushte anonimiteti për shkak të frikës për hakmarrjes.

Në email shkruhej se firma Twitter po "rivlerësonte mënyrën më të mirë për të sjellë njohuri nga jashtë rrjetit" dhe këshilli "nuk është struktura më e mirë për ta bërë këtë".

“Puna jonë për ta bërë Twitter-in një rrjet të sigurt dhe informativ do të ecë më shpejt dhe më agresivisht se kurrë më parë dhe ne do të vazhdojmë të mirëpresim idetë tuaja në vijimësi se si ta arrijmë këtë qëllim”, thuhet në emailin e nënshkruar nga firma Twitter.

Grupi vullnetar nuk kishte ndonjë autoritet vendimmarës dhe nuk shqyrtonte mosmarrëveshje specifike lidhur me përmbajtjen.

Pas blerjes së rrjetit Twitter për 44 miliardë dollarë në fund të tetorit, zoti Musk tha se do të formonte një "këshill të ri për moderimin e përmbajtjes" për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të mëdha, por më vonë ndryshoi mendje.

"Këshilli përbëhej nga një grup vullnetarësh që kontribuan kohën e tyre për shumë vite për t’i ofruar rrjetit Twitter këshilla për një gamë të gjërë çështjesh”, shkruante në rrjetin Twitter Alex Holmes, anëtar i këshillit në fjalë. “Në asnjë moment (këshilli) nuk ishte organ drejtues apo vendimmarrës”.

Firma Twitter, me qendër në San Françisko, e kishte konfirmuar takimin me këshillin përmes një emaili të enjten duke premtuar një "bisedë të hapur dhe pyetje e përgjigje" me punonjësit e rrjetit Twitter, duke përfshirë Ella Irwin, drejtuesen e re që mbikëqyrë çështjet e sigursë dhe besimit.

Në të njëjtën ditë, tre anëtarë të këshillit njoftuan përmes një deklarate publike të postuar në Twitter se po jepnin dorëheqjen, ku thuhej se "ndryshe nga pretendimet e Elon Musk-ut, siguria dhe mirëqenia e përdoruesve të Twitter-it janë në rënie".

Ata u bënë objektiv i sulmeve në internet pasi zoti Musk përforcoi kritikat ndaj tyre dhe drejtuesve të mëparshëm të rrjetit Twitter për gjoja se nuk bënë sa duhet për të ndaluar në platformë shfrytëzimin seksual të fëmijëve.

“Është krim që ata refuzuan të ndërmarrin veprime kundër shfrytëzimit të fëmijëve për vite me radhë!”, shkroi zoti Musk në rrjetin Twitter.

Shtimi i sulmeve ndaj këshillit ngriti shqetësime mes disa anëtarëve të cilët i dërguan një email rrjetit Twitter të hënën duke kërkuar që kompania të ndalonte keqinterpretimin e rolit të këshillit.

Këto akuza të rreme nga drejtuesit e Twitter-it po “rrezikonin anëtarët aktualë dhe ish-anëtarët e këshillit”, thuhej në email.

XS
SM
MD
LG