Lidhje

Vettingu në Shqipëri, më shumë se gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve kanë dalë nga sistemi


Seancë e KPK-së
Seancë e KPK-së

Në Shqipëri, gati 70 përqind e gjykatësve dhe prokurorëve, i janë nënshtruar deri tani procesit të rivlerësimit, i njohur dhe me termin vetting. Prej tyre vetëm më pak se gjysma kanë mundur të konfirmohen në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Të dhënat janë bërë të ditura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) në një bilanc të procesit deri në fund të muajit nëntor.

Sipas këtyre të dhënave, janë 214 shkarkime, 230 konfirmime në detyrë, 133 vendime për pushimin e procesit të rivlerësimit nga të cilët 95 për dorëheqje dhe 38 për arsye të tjera. Pas vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelit (KPA), 3 pushime për shkak të vendimeve të dorëheqjes , janë ndryshuar në pushime për arsye të tjera, ndërsa për 6 raste të tjera është dhënë vendimi i pezullimit nga detyra.

Nga ana e tij Kolegji ka marrë 168 vendime, nga të cilat janë lënë në fuqi 123 vendimeve të KPK-së, ose gati 75 përqind të totalit të rasteve të shqyrtuara.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është shkalla e parë e procesit të rivlerësimit, dhe fjala e fundit i takon Kolegjit të Posaçëm, vendimet e të cilit janë të paapelueshme. Deri më tani, janë 432 subjekte që i nënshtrohen rivlerësimit, për të cilët procesi është përmbyllur tërësisht, dhe prej tyre 185 janë konfirmuar, 113 janë shkarkuar dhe për 134 u mor vendimi i pushimit, prej të cilëve 93 për shkak të dorëheqjes.

Procesi i rivlerësimit do të duhej të përfundonte në qershor të këtij viti, por ai u shty për deri në fund të vitit 2024, duke i dhënë kohë organeve të vettingut që të përmbyllin punën. Vendimi u mor në muajin shkurt nga parlamenti, falë dhe këmbënguljes si të Shteteve të Bashkuara ashtu dhe të BE-së.

XS
SM
MD
LG