TAIPEI – Gazeta Wall Street Journal njoftoi se gjigandi amerikan i paisjeve inteligjente, kompania Apple Inc. po përshpejton planet për të zhvendosur disa linja prodhimi me bazë në Kinë, në vende të tjera të Azisë juglindore si India dhe Vietnami.
Kjo, thanë analistët, do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit global pasi prodhuesit po ndërgjegjësohen për rreziqet e përqendrimit të prodhimit në Kinë.
Politika zero-COVID e Kinës, e cila paralizoi disa nga zinxhirët e saj të furnizimit, dhe mjedisi i saj i përkeqësuar i biznesit ishte arsyeja kryesore e këtij ndryshimi, shtuan ata.
India, fabrika e ardhshme e botës?
“Masat kundër viruseve të Kinës kanë detyruar shumë kompani shumëkombëshe, përfshirë Apple-in, të kërkojnë të mbrohen nga rreziku i ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit. Megjithëse Kina është e vendosur të lehtësojë kufizimet e COVID-it, pasiguria mbetet sepse këto kompani shumëkombëshe kanë përjetuar shumë ndryshime të papritura të politikës atje - arsyeja e zhvendosjes së përshpejtuar të linjave të prodhimit jashtë Kinës nga kompania Apple," i tha Zërit të Amerikës përmes telefonit Darson Chiu, studiues i qendrës së parashikimit ekonomik në Institutin e Kërkimeve Ekonomike (TIER) në Taipei.
Ai tha se shumë kompani, përfshirë Apple, po shohin në Indi potencialin për të konkurruar me Kinën, për ta bërë atë "fabrikën e ardhshme të botës", duke shtuar se kostoja e punës dhe e tokës është "sa një e pesta e nivelit në Kinë".
“Kjo nxjerr në pah një prirje në zhvillim, ku shumë kompani, jo vetëm Apple, janë të shqetësuara për mjedisin në Kinë, dhe jo vetëm për shkak të COVID-it. Kur shohim vjedhjen e pronës intelektuale, të teknologjisë, sulmet kibernetike ndaj kompanive brenda Kinës, kufizimet e rënda që zbatohen nga qeveria kineze për qarkullimin e të dhënave. Pra ka një sërë faktorësh që po e bëjnë Kinën një mjedis shumë më pak tërheqës për prodhuesit”, thotë për Zërin e Amerikës Stephen Ezell, drejtor i politikave globale në Fondacionin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit (ITIF) në Uashington.
Një efekt domino?
Zoti Ezell tha se më shumë kompani shumëkombëshe mund ta bëjnë një gjë të tillë, nëse Apple do të ketë sukses në dërgimin e produkteve nga India, pasi prodhoi atje një përqindje të vogël të telefonave iPhone 14.
Duke cituar njerëzit e përfshirë në diskutim, The Wall Street Journal raportoi më 6 dhjetor se Apple u kishte kërkuar furnizuesve të saj që të planifikonin në mënyrë më aktive montimin e produkteve gjetkë në Azi, "veçanërisht në Indi dhe Vietnam", për të reduktuar varësinë nga montuesit me bazë në Kinë që drejtohen nga uzina Foxconn në Zhengzhou me seli në Tajvan.
Trazirat mbi masat anti-virus dhe mosmarrëveshjet për pagat muajin e kaluar midis 300,000 punëtorëve të uzinës e kanë bërë Apple të rivlerësojë faktin që ka kaq shumë biznese të lidhura me fabrikën, ku sipas raportit, prodhohen rreth 85% e serisë pro të iPhone-it.
Ai shtoi se qëllimi afatgjatë i kompanisë Apple është të dërgojë 40% deri në 45% të produkteve iPhone nga India, krahasuar me një përqindje aktuale njëshifrore.
Kur u pyet nga Zëri i Amerikës, Foxconn refuzoi të komentonte. Por kompania njoftoi të enjten në llogarinë e saj WeChat se ka hequr kufizimet për Covid në fabrikën e saj në Zhengzhou.
Paul Triolo, zv/president për Kinën dhe drejtues i politikave teknologjike në Grupin Albright Stonebridge në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se kompania Apple ka bërë tashmë disa prodhime me kompaninë Foxconn në Indi, e cila planifikon të shtojë 50,000 punëtorë atje gjatë dy viteve të ardhshme duke e çuar numrin total në 70,000 .
Megjithatë, ai paralajmëroi se do të jetë e vështirë për Foxconn-in të kopjojë zinxhirin e saj të furnizimit të Kinës në Indi, ku mungojnë punëtorë të kualifikuar, infrastruktura duke përfshirë aeroportet, portet dhe hekurudhat me shpejtësi të lartë, si dhe një ekosistem i furnizuesve të komponentëve me një kosto të ulët.
Tranzicion i dhimbshëm
“India ka disa avantazhe… ajo sigurisht që ka shumë inxhinierë, por këtu bëhet fjalë për një llojshmëri çështjesh të ndryshme kulturore, pritshmërish dhe praktika pune. Pra, tranzicioni nuk është aq i lehtë sa thjesht të marrësh diçka dhe ta lëshosh në një vend tjetër. Duhet të mësosh situatën në vend. Duhet të punosh me pushtetin vendor. Kjo mund të jetë e vështirë,” i tha zoti Triolo Zërit të Amerikës me video.
Ai shtoi se, edhe pse kompani si Foxconn janë të mira në menaxhimin e prodhimit, strukturat e kostos do të jenë të ndryshme në Indi.
Prandaj, ai vuri në dukje se një pjesë e diversifikimit të zinxhirëve të furnizimit të kompanisë Apple mund të ndodhë brenda Kinës, pasi kompania Foxconn thuhet se po kërkon të zgjerojë fabrikën e saj Taiyuan në provincën veriore Shanxi të Kinës.
Sfida më e madhe qëndron në aftësinë e Indisë për të zgjeruar bazën e saj të furnizuesve për Apple me një kosto optimale, tha zoti Ezell.
“Ekosistemi i prodhimit, është ai që është shtytësi kryesor në uljen e kostos. Nuk janë vetëm kostot e ulëta të punës. Pra, sfidat për Indinë do të jetë shumta. Njëra, ndërtimi i një baze të lokalizuar furnizuesish që mund të mbështesin prodhimin me kosto më të ulët. Dhe pastaj më gjerësisht, duke siguruar që India të ketë fuqi punëtore të trajnuar dhe individë që kanë përvojë dhe ndërtojnë ato që janë me të vërtetë pajisje elektronike shumë komplekse, "tha zoti Ezell.
Ndikim negativ në shkallën e papunësisë në Kinë
Arthur Guo, një analist i lartë në firmën International Data Corp në Pekin, tha se nuk do të befasohej të shihte kompaninë Apple të diversifikonte prodhimin e iPhone 15 vitin e ardhshëm pasi bllokimet në fabrikën e Foxconn-it në Zhengzhou ka ndikuar seriozisht në furnizimin me iPhone 14.
Kjo do të dëmtojë rritjen ekonomike të Kinës dhe shkallën e papunësisë, tha zoti Guo në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
“Megjithatë, ky proces zhvendosjeje do të zgjasë dhe nuk do të zbatohet menjëherë. Në të ardhmen, ne besojmë se Kina do të jetë ende një vend i rëndësishëm prodhimi për kompaninë Apple dhe do të gjejë një zgjidhje më të mirë për këtë problem”, shtoi ai.
Vlerësimet e mëparshme nga analisti Kuo i firmës TF treguan se dërgesa totale e iPhone 14 pro dhe pro max në tremujorin e katërt do të jetë 15 deri në 20 milionë njësi më pak se sa pritej për shkak të protestave të punëtorëve në uzinën Zhengzhou.