Lidhje

Marrëdhëniet Arabi Saudite-Kinë, nisin një ‘epokë të re’ 


Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman priti sot presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa udhëheqësi kinez paralajmëroi “një epokë të re” në marrëdhëniet me arabët. Presidentit kinez iu ofrua një pritje luksoze, që sinjalizon interesin e Riadit për thellimin e lidhjeve me Pekinin, pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA-të.

Anëtarët e Gardës Mbretërore Saudite të hipur mbi kuaj arabë dhe me flamuj kinezë dhe sauditë shoqëruan makinën e zotit Xi teksa hynte në pallatin mbretëror në Riad, ku princi Mohammed, sundimtari de fakto i vendit të pasur me naftë, e përshëndeti atë me një buzëqeshje të ngrohtë.

Ceremonia ishte tërësisht ndryshe nga pritja e ftohtë që iu bë në korrik presidentit amerikan, Joe Biden, marrëdhëniet me të cilin janë ftohur pas vrasjes së Jamal Khashoggit nga sauditët në vitin 2018 dhe për shkak të politikës energjetike saudite.

Ndërsa lidhjet e Uashingtonit me Riadin janë në nivelin më të ulët dhe duke parë me kujdes ndikimin në rritje të Kinës, zyrtarë amerikan thanë të mërkurën se vizita ishte një shembull i përpjekjeve kineze për të ushtruar ndikim në mbarë botën dhe se kjo vizitë nuk do të ndryshonte politikën e SHBA-së ndaj Lindjes së Mesme.

Në një opinion të botuar në mediat saudite, presidenti Xi tha se ishte në një “udhëtim të pashembullt” për të “nisur një epokë të re të marrëdhënieve të Kinës me botën arabe, vendet arabe të Gjirit dhe Arabinë Saudite”.

Presidenti kinez do të takohet të premten me vendet e tjera të Gjirit që prodhojnë naftë dhe do të marrë pjesë në një mbledhje më të gjerë të udhëheqësve arabë. Zoti Xi tha se këto shtete janë një “thesar energjie për ekonominë botërore... dhe janë tokë pjellore për zhvillimin e industrive të teknologjisë së lartë”.

Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit, si Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë thënë se nuk do të mbanin anë midis fuqive globale dhe po kërkonin për partnerë të rinj për t'i shërbyer interesave të tyre kombëtare për ekonominë dhe sigurinë.

“Partner i besuar”

Kina është konsumatori më i madh i energjisë në botë dhe një partner i madh tregtar i shteteve të Gjirit.

Ministri saudit i energjisë të mërkurën tha se Riadi do të mbetet një partner energjie “i besueshëm” për Pekinin dhe se të dy do të rrisin bashkëpunimin në zinxhirët e furnizimit me energji duke krijuar një qendër rajonale në mbretëri për fabrikat kineze.

Firmat kineze dhe saudite nënshkruan gjithashtu 34 marrëveshje për investime në energjinë e gjelbër, teknologjinë e informacionit, transportin, ndërtimin dhe sektorë të tjerë, njoftoi agjencia shtetërore saudite e lajmeve SPA.

Në njoftim nuk u dhanë shifra të sakta, por më parë ishte raportuar se të dy vendet do të nënshkruanin marrëveshje fillestare me vlerë prej 30 miliardë dollarësh.

XS
SM
MD
LG