Lidhje

Hakerët kinezë vodhën miliona dollarë nga fondet për asistencën gjatë pandemisë në SHBA


Logoja e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara
Logoja e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara

UASHINGTON – Hakerët kinezë kanë vjedhur që nga viti 2020 dhjetëra miliona dollarë nga fondet për asistencën gjatë pandemisë në Shtetet e Bashkuara, konfirmoi të hënën Shërbimi Sekret amerikan.

Shërbimi Sekret nuk dha detaje të mëtejshme, por konfirmoi një njoftim të bërë nga kanali “NBC News”, ku thuhej se ekipi i hakerëve kinezë që mendohet se është përgjegjës për vjedhjen, njihet në radhët e komunitetit të sigurisë kibernetike me emrin APT41, ose “Winnti”.

APT41 është një grupim aktiv kriminal që ka marrë pjesë në ndërhyrje kibernetike të mbështetura nga qeveria, si dhe në ndërhyrje të motivuara financiarisht, thonë ekspertët.

Ndaj disa anëtarëve të këtij grupi u ngritën akuza në vitin 2019 dhe 2020 nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për aktivitet spiunazhi në mbi 100 kompani, ndër to kompani që prodhojnë programe kompjuterike, kompani telekomunikacioni, firma të mediave sociale, si dhe prodhues të lojërave elektronike.

“Fatkeqësisht, Partia Komuniste Kineze ka zgjedhur ta bëjë Kinën një strehë të sigurtë për kriminelët kibernetikë për sa kohë që sulmojnë kompjutera që gjenden jashtë Kinës dhe vjedhin pronësinë intelektuale që ndihmon Kinën”, tha në atë kohë ish-Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Jeffrey Rosen.

Ambasada kineze në Uashington u shpreh në një deklaratë se Kina gjithnjë ka “kundërshtuar me vendosmëri dhe ka goditur të gjitha format e vjedhjeve dhe piraterisë kibernetike”.

XS
SM
MD
LG