Lidhje

Votuesit në Xhorxhia drejt kutive të votimit në garën e fundit për Senat


Votuesit në shtetin amerikan të Xhorxhias votojnë sot në balotazhin për zgjedhjen e senatorit të tyre në Kongres. Në këtë garë të ngushtë përballet senatori aktual, demokrati Raphael Warnock dhe republikani Herschel Walker.

Të dy kandidatët zhvilluan takimet e fundit një ditë para se votuesit t’u drejtohen kutive të votimit.

Sipas sondazheve senatori demokrat Raphael Warnock gëzon një epërsi të lehtë ndaj Herschel Walker-it, një kandidat republikan, që është mbështetur nga ish-presidenti Donald Trump.

“Ndjehem mirë sonte. Por le të mos të festojmë para kohe. Ne do të fitojmë”, tha senatori demokrat Raphael Warnock.

Fitorja e zotit Warnock do të forconte statusin e Xhorxhias si një shtet që mund të luajë rol përcaktues në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Fitorja e zotit Walker do të inkurajonte republikanët, të cilët vitet e fundit kanë parë që mbështetja për ta ka rënë në këtë shtet.

“Para përballjes së madhe, nuk fle sepse jam gati. Dua që edhe ju të jeni gati. Ne do të garojmë me tërë kapacitetin tonë dhe do të shohim kush do fitojë”, tha Herchel Walker, kandidati republikan.

Fitorja e senatorit Warnock do t’i jepte Partisë Demokrate shumicën e plotë prej 51 vendesh në Senat dhe më shumë ndikim në komisionet dhe emërimet në gjyqësor.

Fitorja e republikanit Walker do të shtonte shanset e republikanëve për ta bllokuar programin e presidentit Joe Biden.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 8 nëntorit demokratët siguruan kontrollin e Senatit, ndërsa republikanët fituan Dhomën e Përfaqësuesve.

XS
SM
MD
LG