Lidhje

Shqipëri, artistja Inva Mula i bashkohet vullnetarëve të dhurimit të gjakut


Në Tiranë, sopranoja e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula, iu bashkua sot nismës së Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurim gjaku në Ditën Botërore të Vullnetarizmit.

Dita Botërore e Vullnetarizmit, fushatë për dhurimin e gjakut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Bashkë me të u paraqitën edhe dhjetëra vullnetarë të tjerë pranë qendrës së lëvizshme të dhurimit të gjakut, që sot u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Artistja e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula, ka shumë vite që dhuron gjak periodikisht, larg vëmendjes së publikut, si një qytetare e thjeshtë, për të ndihmuar njerëz në nevojë.

Sot është hera e parë që zonja Mula e bëri këtë dhurim publikisht në Ditën Botërore të Vullnetarizmit.

Ajo tha se erdhi aty vetëm si njëra nga shumë artistë dhe figura të njohura publike, që mjafton një ftesë dhe janë të gatshëm t’u bashkohen nismave të tilla humane.

“Disa vite më parë shkova në spital pranë një të afërmi tim, dhe kur pashë se sa shumë nevojitej gjaku, vendosa që të bëhem dhuruese e rregullt vullnetare dy herë në vit. Mjeket që takova këtu i njoh dhe më njohin prej kohësh nga spitali. E kam bërë këtë detyrë jo me bujë, por me profil të ulët, modeste dhe si qytetare e thjeshtë, ashtu si duhet të shkojë çdo njeri”, thotë zonja Mula.

Sopranoja e mirënjohur tha se pranoi ftesën e Kryqit të Kuq Shqiptar për ta bërë publik këtë detaj intim nga jeta e saj private, pra dhurimin periodik të gjakut, në përpjekje për të nxitur dhe frymëzuar vullnetarizmin e kolegëve të tjerë, si dhe qytetarëve artdashës me shembullin e saj.

“Nuk është mirë vetëm për personat që ndihmohen me gjak, por ky dhurim i bën shumë mirë edhe vet njeriut që dhuron, sepse pas çdo njësi gjaku trupi i dhuruesit ristarton dhe rigjenerohet. Duhet jetuar shëndetshëm, pa abuzime me duhan dhe alkool, dhe të dhurojmë, sepse kështu bëhemi qytetarë të mirë për veten tonë në radhë të parë dhe pastaj për të tjerët”, thotë zonja Mula.

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar, Artur Katuçi, thotë se holli i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është në qendër të kryeqytetit dhe vendi më i përshtatshëm për ndërgjegjësimin e publikut mbi vullnetarizmin dhe dhurimin e gjakut.

“Kjo është një kauzë shumë fisnike dhe humanitare. Kryqi i Kuq është i angazhuar gjatë gjithë vitit me dhurimin e gjakut, por sot e bashkoi atë natyrshëm me ditën botërore të vullnetarizmit”, thotë zoti Katuçi.

Në Shqipëri përherë e më shumë njerëz, të sëmurët me talasemi, të aksidentuarit e rastësishëm në punë dhe në trafik, si dhe ata qindra të tjerë në ndërhyrje kirurgjikale, kanë nevojë për mbështetjen e dhuruesve vullnetarë të gjakut.

XS
SM
MD
LG