Lidhje

Pikat e tregtimit në Hungari mbeten pa karburant pas çmimit tavan të vendosur nga qeveria


Drejtuesit e automjeteve në Hungari po përballen çdo ditë me mungesë nafte e gazi, për shkak të një çmimi tavan të vendosur nga qeveria, i cili po vë në vështirësi pikat e tregtimit të karburanteve. Nga ana tjetër kompania shtetërore e prodhimit të gazit dhe naftës nuk po përballon dot kërkesën e lartë.

Në qindra stacione karburanti anembanë Hungarisë bizneset njoftojnë klientët për çmimet apo sasinë e mbetur.

Një tabelë në një pikë karburanti në Martonvasar, rreth 30 kilometra në jugperëndim të Budapestit, kryeqytetit të Hungarisë, informon shoferët se mund të blejnë vetëm dy litra karburant me çmim të reduktuar, çmim i vendosur nga qeveria më shumë se një vit më parë.

“Kufizimi i sasisë për klientët vjen si pasojë e faktit se kompania shtetërore e energjisë MOL nuk ka furnizuar biznesin tim”, tha pronai i pikës së karburantit. Sipas tij, biznesi i tij dhe biznese të tjera nuk janë furnizuar nga kompania shtetërore prej 3 javësh.

"Kompania shtetërore nuk po furnizon më fare, ndaj karburanti me një çmim të kontrolluar mbaroi në këto pika," tha Laszlo Gepesz, i cili zotëron një pikë të vogël karburanti dhe është bashkëkryetar i Shoqatës së Bizneseve të Pavarura të Karburanit, në Hungari.

Çmimi tavan i vendosur nga qeveria populiste e Hungarisë nëntorin e kaluar përcaktonte se 1 litër naftë apo benzinë duhej shitur me 1.22 dollarë (480 forints).

Ndërsa çmimet e tregut vazhduan të rriteshin, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, importi i karburantit nga Hungaria ra, duke patur parasysh çmimet e kontrolluara ky shtet nuk ishte më një vend tërheqës për furnizuesit e huaj.

Kompania shtetërore u bë në këtë mënyrë e vetmja që prodhonte naftë e gaz që mund te shitet me çmimin e kontrolluar. Por kapacitetet e saj nuk mund të përballojnë të furnizojnë të gjithë vendin me karburant të lire.

Kompania shtetërore thotë se rafineria e saj në qytetin e Szazhalombattaa po punon me 50% të kapacitetit për shkak të problemeve teknike.

Ndërprerjet e furnizimit me naftë të Hungarisë përmes tubacionit Druzhba që dërgon naftë të papërpunuar në Hungari nga Rusia nëpërmjet Ukrainës, kanë ndikuar gjithashtu në vonesat për furnizime.

Kompania nuk iu përgjigj kërkesës së Associated Press për një koment.

Duke folur në një konferencë shtypi të mërkurën, shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban, Gergely Gulyas, tha se çmimi tavan, i përcaktuar për deri më 31 dhjetor, mund të mbetet në fuqi për aq kohë sa kompania shtetërore do të jetë në gjendje t’i përgjigjet tregut.

“Nëse kompania nuk do jetë në gjendje të prodhojë sa duhet atëherë do duhet të importojmë. Natyrisht çmimi importit është shumë herë më i lartë. Pra çështja është për sa kohë mund të përmbushim kërkesat e vendit për naftë e benzinë”, tha ai.

Hungaria është një vend i varur nga Rusia për naftë e gaz.

Qeveria hungareze ka reaguar fort kundër sanksioneve të vendosura nga Bashkimit Evropian ndaj Moskë veçanërisht sanksionet që do të ndikonin në importin e naftës dhe kanë fajësuar Unionin për rritjen e çmimit të karburantit.

Marika Vastag, një fermer 73 vjeçar nga fshati Pusztaszabolcs mbushi një bidonë me 10 litra benzinë të mërkurën, duke e paguar me çmimin e tregut, pasi pikat e karburantit nuk ishin furnizuar me benzinë me çmim të kontrolluar.

"Do të ishte mirë që Bashkimi Evropian të mos na krijonte vështirësi e mos të na kërkonte të hiqnim dorë nga Rusia sepse për fat të keq, ne jemi të varur prej Rusisë për naftë e gaz," tha Vastag. "Për fat të keq, ne nuk jemi të pavarur, nuk kemi gjithçka që na duhet ndaj duhet të jemi krah atyre që na ndihmojnë."

XS
SM
MD
LG