Lidhje

Rusia kundërshton tërheqjen nga Ukraina si kusht për bisedime


Rusia tha të premten se kërkesa e Perëndimit që ajo të tërhiqet plotësisht nga Ukraina si kusht për bisedime për t'i dhënë fund luftës, përjashton çdo negociatë të mundshme mbi këtë çështje. Komentet vijnë ndërsa Rusia vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës jetike në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin mbetet i hapur për bisedime, por kërkesa e Perëndimit që Moska të tërheqë fillimisht trupat nga Ukraina është e papranueshme.

Komentet e zotit Peskov u bënë pas një telefonate që zoti Putin zhvilloi të premten në mëngjes me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Zyra e zotit Scholz tha se kancelari gjerman i bëri të qartë zotit Putin “se duhet të ketë një zgjidhje diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur, e cila përfshin një tërheqje të trupave ruse”.

Të enjten, presidenti amerikan Joe Biden tha gjithashtu se ishte i gatshëm të bisedonte me zotin Putin nëse ky i fundit dëshmonte se ishte seriozisht i interesuar t'i jepte fund sulmit në Ukrainë, e të tërhiqej.

Në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini pas telefonatës me zotin Scholz thuhej se zoti Putin fajësoi sërish Perëndimin për inkurajimin e Ukrainës për të zgjatur luftën, duke e furnizuar atë me armë.

Zoti Putin tha gjithashtu se Rusia ishte e detyruar të kryente sulme ndaj infrastrukturës së Ukrainës dhe se ato ishin të pashmangshme, pas dyshimeve se Kievi qëndron pas aktit të hedhjes në erë një urë kyçe në gadishullin e Krimesë, një territor që Moska e aneksoi në vitin 2014, apo dhe sulmeve të tjera ndaj infrastrukturës ruse të energjisë.

Që nga muaji tetor forcat ruse po vazhdojnë me sulmet ndaj infrastrukturës jetike të Ukrainës, duke lënë miliona vetë pa energji elektrike e në të ftohtë. Zyra e zotit Scholz tha se gjatë bisedës telefonike me zotin Putinin ai "dënoi në mënyrë të posaçme sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile" në Ukrainë dhe shtoi se Gjermania mbetet e vendosur në objektivin e saj për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën që ajo të mbrohet nga agresioni rus.

Kremlini tha sot se Presidenti Vladimir Putin është i hapur për bisedime mbi një zgjidhje të mundshme mbi Ukrainën, por shtoi se refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të njohur territoret e aneksuara nga Moska, po bëhet pengesë për një kompromis të mundshëm.

Ukraina dhe Perëndimi thonë se presidenti Putin nuk ka asnjë justifikim për atë që ata e konsiderojnë si një luftë pushtuese të stilit perandorak. Kievi thotë se do të luftojë derisa ushtari i fundit rus të largohet nga territori i vendit.
XS
SM
MD
LG