Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron u zotuan të mbajnë një front të bashkuar kundër Rusisë të enjten mes shqetësimeve në rritje për rënien e mbështetjes për përpjekjet luftarake të Ukrainës në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Presidenti Biden sinjalizoi gjithashtu se ai mund të jetë i gatshëm të modifikojë aspekte të legjislacionit të tij të nënshkruar për klimën që kanë ngritur shqetësime në Francë dhe në vendet e tjera aleate në Evropë.
Presidenti Biden shtroi një darkë shtetërore për homologun e tij francez Macron të enjten në mbrëmje. Kjo është e para darkë shtetërore e Presidentit Biden për një udhëheqës të huaj, që kur ai mori detyrën ndërsa vendi ende vazhdonte të përballej me pasojat e pandemisë së Covid-19. Por, republikanët që do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve kanë treguar më pak gatishmëri se Presidenti Biden për të shpenzuar miliarda dollarë për Ukrainën dhe ligjvënësit demokratë thanë të enjten se nuk do të merreshin përsëri me legjislacionin për klimën.
Në fakt, përkundër të gjitha deklaratave pozitive, vizita e presidentit Macron në Uashington është dëmtuar nga kritikat e tij ndaj Aktit të Reduktimit të Inflacionit, një ligji i mbështetur nga zoti Biden, dhe sfidave me të cilat përballen të dy udhëheqësit mes të kostove në rritje të vazhdimit të ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Kievin.
Pavarësisht dallimeve, Biden dhe Macron u përpoqën të theksonin se aleanca SHBA-Francë mbetet e fortë dhe se Perëndimi duhet të qëndrojë i palëkundur në kundërshtimin e luftës së presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.
“Sot, ne ripohojmë se, siç thashë, ne do të jemi të bashkuar kundër këtij brutaliteti”, tha Presidenti Biden. “Putini mendon se ai mund të shtypë vullnetin e të gjithë atyre që kundërshtojnë ambiciet e tij imperialiste duke sulmuar infrastrukturën civile të Ukrainës, duke shkaktuar rritjen e çmimit të energjisë në Evropë, dhe duke përkeqësuar krizën ushqimore. Kjo po dëmton njerëzit e pambrojtur jo vetëm në Ukrainë, por në mbarë botën dhe ai nuk do të ketë sukses.”
Të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e aleancës së gjatë mes vendeve të tyre. Por ata pranuan se mund të përballen me momente të vështira në të ardhmen, ndërsa uniteti perëndimor tregon shenja të lodhjes nëntë muaj pas fillimi të agresionit rus në Ukrainë.
Në Uashington, republikanët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ku udhëheqësi i republikanëve Kevin McCarthy ka thënë se ligjvënësit e partisë së tij nuk do të shkruajnë "çeqe të bardha" për Ukrainën. Në anë tjetër të Atlantikut, përpjekjet e Presidentit Macron për të mbajtur Evropën të bashkuar do të sprovohen nga kostot në rritje të mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, ndërsa Evropa po përballet me rritjen e çmimeve të energjisë që kërcënojnë të dëmtojnë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.
Presidenti Macron theksoi se pasojat e luftës në Ukrainë kalojnë kufijtë e saj.
"Ajo që është në rrezik në Ukrainë nuk është shumë larg nga këtu, në një vend të vogël diku në Evropë", tha ai. “Lufta atje ka të bëjë me vlerat dhe parimet tona.”
Presidenti Biden tha se do të bisedonte me presidentin rus Vladimir Putin, për të kuptuar nëse ai do të ishte i gatshëm t'i jepte fund luftës në Ukrainë.
Zoti Biden ka rezistuar të bisedojë me Presidentin Putin që kur udhëheqësi rus nisi agresionin në muajin shkurt, por nga ana tjetër, zoti Macron i ka mbajtur të hapura linjat e komunikimit me Presidentin Putin.
“Jam i përgatitur, nëse ai është i gatshëm të flasë, për të kuptuar se çfarë është i gatshëm të bëjë”, tha Presidenti Biden në një konferencë të përbashkët shtypi me zotin Macron.
Por presidenti amerikan tha se ai do ta bënte këtë vetëm në konsultim me aleatët e tij në NATO dhe nuk do të bënte asgjë që do të dëmtonte interesat e Ukrainës.
Zoti Biden priti Presidentin Macron në vizitën e parë shtetërore që kur presidenti amerikan mori pushtetin në fillim të vitit 2021. Përveç premtimit për mbështetje ndaj Ukrainës, të dy udhëheqësit kërkuan mënyra për të lehtësuar disa tensione ekonomike.
Shqetësimi evropian mbi ligjin amerikan mbi klimën
Presidenti Joe Biden pranoi se në ligjin amerikan për energjinë e pastër ka të meta, gjë që ka ngritur shqetësime në Evropë, por shtoi gjithashtu se "disa ndryshime mund të bëhen” për të kënaqur aleatët. Zoti Biden i bëri komentet gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron.
Presidenti amerikan pritet ta nderojë homologun e tij francez me darkën e parë shtetërore të presidencës së tij e cila do të mbahet të enjten në mbrëmje. Zoti Biden tha se tha se ai dhe zoti Macron biseduan për të sigurar një marrëveshje të mirë që u jep përgjigje shqetësimeve evropiane mbi ligjin amerikan mbi klimën.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë nisi me një ceremoni për nder të Presidentit Emmanuel Macron, e cila nuk linte asnjë dyshim për respektin e madh që gëzon Franca nga administrata e presidentit Biden.
Në fjalimet para takimit të dy udhëheqësit u ndalen tek miqësia e gjatë mes dy kombeve dhe ndihma që i kanë dhënë njëri tjetrit në momente kyçe të historisë.
“Franca është aleati ynë më i vjetër. Partneri ynë i palëkundur në kauzën për liri. Nga ndihma e ushtarakut francez Marquis de La Fayette, që siguroi suksesin e revolucionit tonë e deri te sakrifica e ushtarëve amerikanë, që zbarkuan në plazhet e Normandisë, historitë tona kanë marrë formë nga guximi i grave dhe burrave që kapërcyen Oqeanin Atlantik të udhëhequr nga flaka e lirisë në zemrën e tyre. Sot ajo flakë bën dritë më shumë se ndonjëherë tjetër dhe aleanca mes dy vendeve tona mbetet jetike ”, tha Presidenti Joe Biden.
Presidenti francez i bëri jehonë fjalimit të homologut amerikan duke thënë se të dy kombet “kanë luftuar krah për krah për liri”.
"Ne kemi detyrimin ndaj historisë sonë të përbashkët, ndërsa lufta është kthyer në tokën evropiane për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe krizave të ndryshme, që kombet dhe shoqëritë tona përballen, të bëhemi vëllezër, që luftojmë sërish së bashku”, tha presidenti francez, Macron në fjalimin e tij.
Bisedimet pritet të përqendrohen kryesisht në përpjekjet për të qëndruar të bashkuar në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për të koordinuar qasjen e tyre ndaj Kinës që është bërë më autoritare.
Megjithëse fjalimet e tyre i thurrnin lavde miqësisë SHBA-Francë, takimi nuk pritet shkojë pa mosmarrëveshje.
Presidenti francez nuk po e fsheh pakënaqësinë ndaj ligjeve të Presidentit Biden për mjedisin, që zoti Macron tha se do të kenë ndikim negativ tek kompanitë evropiane. Gjatë takimeve të tij të djeshme në Uashington, zoti Macron tha se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë janë po ashtu thellësisht të shqetësuar për ligjin amerikan që mbështet teknologjitë amerikane që nuk dëmtojnë mjedisin.
Një ditë më parë, zoti Macron tha se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë mbeten thellësisht të shqetësuar nga dy ligje të reja amerikane.
Ligji për Zbutjen e Inflacionit dhe Ligji i Mikroprocesorëve, janë vendime që përçajnë Perëndimin, sepse krijojnë dallime mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës"
“Veçanërisht Ligji për Zbutjen e Inflacionit dhe Ligji i Mikroprocesorëve”, janë vendime që përçajnë Perëndimin, sepse krijojnë dallime mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Kjo duket sikur krijon përshtypjen se nuk duhen më investime në anën tjetër të Atlantikut. Veprimet amerikane mund të funksionojnë vetëm nëse ka një koordinim mes nesh, nëse vendosim së bashku. Kjo është vendimtare”, tha presidenti francez të mërkurën, gjatë një fjalimi në ambasadën franceze në Uashington.
Ligji tjetër i kritikuar nga presidenti francez, synon të favorizojë teknologjitë amerikane që nuk dëmtojnë mjedisin, duke përfshirë automjetet elektrike.
Ky nuk ishte i vetmi rast që zoti Macron kritikon ligjet amerikane. Para fjalimit në ambasadën franceze, udhëheqësi francez kritikoi Ligjin për Reduktimin e Inflacionit dhe atë të Mikroprocesorëve edhe gjatë një dreke me ligjvënësit amerikanë të të dyja partive. Presidenti francez e bëri të qartë se përpjekjet e presidentit Biden për të frenuar ndryshimet mjedisore duhen duartrokitur, por subvencionet që do jepen në kuadër të ligjeve amerikane do të ishin një pengesë e madhe për kompanitë evropiane.
Bashkimi Evropian gjithashtu ka shprehur shqetësimin se kreditë tatimore në ligjin për mjedisin, përfshirë ato që synojnë nxitjen e amerikanëve për të blerë automjete elektrike, do të diskriminojnë prodhuesit evropianë dhe përbëjnë shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Zoti Macron kritikoi edhe një marrëveshje të arritur në samitin e fundit për mjedisin në Egjipt, në të cilin SHBA dhe vendet e tjera të pasura ranë dakord të paguajnë për dëmet që ndryshimet klimatike po u shkaktojnë vendeve të varfra. Marrëveshja përfshin pak detaje se si do bëhet pagesa dhe zoti Macron tha se nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse.
Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden nuk janë dakord dhe thonë se ligji amerikan për mjedisin është një ndihmesë e madhe për të frenuar ndryshimet klimatike.