Lidhje

Të krishterët për herë të parë pakicë në Angli, bie besimi


Më pak se gjysma e popullsisë në Angli dhe Uells e konsideron veten të krishterë, sipas shifrave të reja të regjistrimit të popullsisë.

Kjo është hera e parë që ata që besojnë në fenë zyrtare të vendit janë në pakicë.

Britania e Madhe është bërë më pak besimtare dhe numri i të bardhëve në vend ka rënë, tregojnë të dhënat e vitit 2021, të publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare.

Rreth 46.2 përqind e popullsisë në Angli dhe Uells e konsideron veten të krishtere në regjistrimin e vitit 2021, duke shënuar rënie në krahasim me 59.3 përqind që ishte në censusin e një dekade më parë.

Numri i popullsisë myslimane është rritur nga 4.9 përqind në 6.5 përqind, ndërsa 1.7 përqind besojnë te hinduizmi.

Më shumë se një në tre persona, 37 përqind, thane se nuk i përkasin ndonjë feje, në krahasim me 25 përqind në vitin 2011.

Vendet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar, Skocia dhe Irlanda e Veriut, i publikojnë më vete të dhënat e tyre.

Aktivistët që mbrojnë ndarjen e fesë nga shteti thonë se ky ndryshim duhet të nxisë analiza për mënyrën sesi feja është rrënjosur në shoqërinë britanike.

Shkollat e Kishës së Anglisë financohen nga shteti dhe pjesëtarë të institucionit të kishës kanë vende në Dhomën e Lartë të Parlamentit. Mbretëria po ashtu mbron besimin.

Rreth 82 përqind e popullsisë në Angli dhe Uells e kanë identifikuar veten të bardhë në census, në krahasim me 86 për qind në vitin 2011. 9 për qind thanë se ishin aziatikë, 4 përqind zezakë dhe 3% nga prejardhje etnike të përziera, ndërsa 2% nga grupe të tjera etnike.

XS
SM
MD
LG