Lidhje

NATO, takim për të siguruar mbështetje të mëtejshme për Ukrainën


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe homologët e tij të vendeve të NATO-s po takohen të martën në Bukuresht të Rumanisë për të siguruar mbështetje të nevojshme urgjente për Ukrainën, përfshirë ndihmë për rrjetin e dëmtuar të energjisë elektrike të vendit të shkatërruar nga lufta.

Që nga fillimi i tetorit Rusia ka vënë në shënjestër infrastrukturën elektrike të Ukrainës, në një fushatë që zyrtarët amerikanë thonë se ka si synim ta përdorë të ftohtin e dimrit si armë kundër vendit.

Para takimit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Presidenti rus Vladimir Putin po përdor këtë strategji pasi forcat e tij po dështojnë në fushën e betejës.

"Të gjithë i kemi parë fotografitë e marra nga satelitët ku shihet Evropa e ndriçuar dhe Ukraina në errësirë. Kemi një punë të madhe rindërtimi përpara”, tha zoti Stoltenberg.

Vendet e NATO-s pritet të premtojnë ndihmë në karburant, gjeneratorë, furnizime mjekësore, pajisje për të përballuar dimrin si edhe sisteme për frenimin e dronëve.

Zyrtarët amerikanë thanë se zoti Blinken do të deklarojë një ndihmë të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara për rrjetin energjetik të Ukrainës.

Vende të tjera të aleancës pritet gjithashtu të njoftojnë ndihma të reja pajisjesh ushtarake për Ukrainën - kryesisht sisteme të mbrojtjes ajrore - por jo në kuadrin e NATO-s, për të shmangur përfshirjen e organizatës në luftë me Rusinë, një vend me armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG